Dekorohen 11 drejtues të Policisë dhe Zjarrëfikësve;Lleshaj: Ju shpëtuat jetë nën rrënojat e tërmetit
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dekoruar sot, 11 punonjës dhe drejtues të Policisë së Shtetit dhe Ekspertë të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri për angazhimin e pakursyer për ndihmën e dhënë pas tërmetit të mëngjesit të 26-nëntorit 2019, ku u shpëtuan 39 jetë njerëzish nën rrënoja.
Gjatë ceremonisë ku dekoruan 11 punonjës dhe drejtues të Policisë së Shtetit dhe forcave zjarrëfikëse, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se mëngjesi i 26 nëntorit shkaktoi një plagë të rëndë për vendin dhe kur të gjithë rendnin pranë familjarëve të tyre, Forcat e Policisë së Shtetit dhe zjarrfikësit u nisën drejt epiqendrës së rrezikut për të shpëtuar jetë njerëzish.
“Orët e para të 26 nëntorit kanë zënë vend në kujtesë që vështirë të largohen më. Vetëm pak minuta pas tërmetit jemi nisur me z. Veliu drejt Durrësit, duke ditur vetëm një gjë, se epiqendra e tërmetit ishte atje. Shkuan te shtëpia e pushimit të ministritsë së brendshme, një grup studentësh ishin mbledhur pranë godinës qendrore e cila nuk ishte më. Mungonte pedagogu i tyre Bujar Hajdarmataj. Më pas u shtuan inforamacionet dhe agimi i ditës së re zbuloi plagët më të rënda të kësaj tragjedie, ku godina të larta ishin shembur dhe kishte persona që kishin humbur jetën, por kishte dhe të lënduar. Më pas u gjet viktima e parë dhe filloi beteja me kohën për të shpëtuar të lënduar”-, tha Lleshaj.
“Sot dua të flas vetëm për një gjë, kur të gjithë donin të siguronin veten dhe të dashurit e tyre drejt zonave më të sigurta, një grup bënin të kundërtën, turreshin drejt vendit të epiqendrës së rrezikut, pa pasur kohë të mendonin për njerëzit e tyre, por për të ndihmuar dhe shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish”-, vijoi Lleshaj.
“Shprehim mirënjohje të thellë për këta njerëz që lanë vetëm familjet dhe rëndën për të shpëtuar të tjera jetë që vareshin vetëm nga koha. Nëse do kishim një përkufizim për heroin, por nëse do më duhej një propozim heroi është ai apo ajo që në rastin kur familja ka nevojë më shumë për të, ai nxiton dhe rend për të ndihmuar familjet e tjera.”-, theksoi Lleshaj
“Angazhimi ka qenë i vetmi ngushëllim në ato ditë të errëta. Nga gërmadhat e Durrësit e Thumanës, pa asnjë dallim drejtuesit e lartë e ato të thjeshtë u përfshinë në ndihmë, prandaj dhe kemi vendosur që të nderojmë disa prej heronjve”-, tha Lleshaj.
“Jemi kufizuar në një numër simbolik, por të gjithë që u angazhuan e meritojnë vlerësimin dhe mirënjohjen time. Këtë vlerësim dua ta pranojnë edhe në emër të kolegëve të tyre. Mirënjohja i drejtohet, FA, Shërbimit shëndetësor, organizatave humanitare, vullnetarëve dhe të tjerëve që u bën pjesë e reagimit për të shpëtuar jetë”.
“Mirënjohje edhe për ata që erdhën nga jashtë dhe shpëtuan jetë shqiptarësh. E kemi vonuar këtë ceremoni për arsye të ngarkesës së lartë. Jemi të përshirë në fazën e rindërtimit. Modernizim të policisë së shtetit dhe forcave operacionale. Krijimin e strukturave speciale të Zjarrfikësit. Këto janë dy strukturat që do të fokusohemi.”-, tha Lleshaj në fjalën e tij, teksa i hapi rrugë ceremonisë së dekorimit, e cila nisi me Drejtorinë e Policisë së Shteit, Ardi Veliun dhe vijoi me Tonin Vocaj, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit të Rendit e Sigurisë Publike. Po ashtu u dekoruan, Sokol Bizhga, Drejtor i FLO. Këta të tre u vlerësuan me “Medalje nderi”.
“MEDALJA E NDERIT” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, punonjësve të shërbimeve mbështetëse, si dhe punonjësve të huaj të policisë, të atashuar në vendin tonë, të cilët shquhen për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike, në ruajtjen dhe administrimin e pronës dhe në ushtrimin e përgjegjësive të tjera të parashikuara nga ligji për Policinë e Shtetit, si dhe në mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Po ashtu u vlerësuan, Lorenc Shehu, Drejtor i DVP Durrës; Artur Hehaj, Shef i Komisariatit Krujë, me medalje për trimëri. Medalja “PËR TRIMËRI” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët tregojnë cilësi të veçanta, kurajë e guxim në realizimin e detyrave, misioneve dhe zgjidhjen e situatave të jashtëzakonshme.
Gjithashtu nga ministri i Brendshëm u vlerësuan me medalje “PËR SHPËTIM JETE”, Artur Duli, Punonjës i FNSH; Klodian Hysi, Punonjës i RENEA; Luan Kapaj, Zjarrfikës i MNZSH, Vlorë; Endri Krashta, Shef i MNZSH, Kavajë, Gjovalin Zefi, Zjarrfikës i MNZSH, Vau i Dejës
Medalja “PËR SHPËTIM JETE” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kryejnë akte ose veprime heroike në një konflikt, operacion a situatë të jashtëzakonshme për shpëtimin e jetës së personaliteteve, kolegëve, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Fraksion.com