Veprimtari ujgur Ilham Tohti, fitues i çmimit Sakharov për vitin 2019
Parlamenti Evropian, i ndau çmimin Sakharov të mërkurën veprimtarit ujgur Ilhan Toti i cili është i dënuar më burgim të përjetshëm nga autoritetet kineze.
Çmimin në vend të tij e pranoi e bija, Jewher Ilham në një ceremoni në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Ilham Tohti, një ekonomist, është burgosur në vitin 2014 nën akuzat për separatizëm, që u denoncuan gjerësisht në kryeqytetet perëndimore.
Kina po përballet me kritika të ashpra ndërkombëtarë për shkak të trajtimit të pakicës myslimane Ujgure, në rajonin e saj veriperëndimor, Xinjiang.
Jewher Ilham, u bëri thirrje politikanëve, akademikëve dhe studentëve të mërkurën të protestojnë kundër trajtimit të ujgurëve, derisa po pranonte çmimin në vend të të atit.
Kina tha më herët zoti Tohti ishte “një kriminel që u dënua në përputhje me ligjin nga një gjykatë kineze”, dhe u bri thirrje “të gjitha palëve të respektojnë punët e brendshme dhe sovranitetin gjyqësor të Kinës dhe të mos i fryjnë arrogancës së terroristëve. ”
Kina thotë se krahina Xinjiang është nën kërcënim nga militantët dhe separatistët islamikë, ndërsa mohon keqtrajtimin ose internimin masiv, duke thënë se thjesht po kërkon t’i jap fund ekstremizmit dhe dhunës përmes edukimit.
Dy javë më parë, në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve dha miratimin fillestar për një projekt-ligj që do të kërkonte nga administrata amerikane ashpërsimin e përgjigjes ndaj Kinës për veprimet e saj ndaj pakicës ujgure.
Të mërkurën në Strasburg, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli tha se “duke e ndarë këtë çmim, i bëjmë thirrje të fuqishme Kinës që të lirojë Tohtin dhe të respektojë të drejtat e pakicave”.
A.Demaçi më 1991 dhe I. Rugova më 1998 ishin fitues të çmimit Sakharov
Në vitin 1991, pak kohë pasi ishte liruar nga burgu ku kishte qëndruar për rreth 28 vjet, veprimtari tashmë i ndjerë shqiptar, Adem Demaçi, u bë laureat i çmimit Sakharov. Ishte atëbotë 55 vjeç dhe drejtonte Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Në fjalimin e tij kishte thënë atëbotë se “nuk ka asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike”.
I njohur atëbotë si udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, zoti Rugova kishte kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
“Gjendja ne Kosovë mbetet serioze dhe e rrezikshme. Ne shpresojmë qe misioni i Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara do të sjellë rivendosjen e paqes në Kosovë dhe të krijojmë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit. Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë. Për të ardhmen unë do të doja instalimin e protektoratit ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë”, kishte thënë atëbotë presidenti i ndjerë Rugova./voa
Fraksion.com