AktualitetPolitikëTë fundit

“Kushti i vetëm politik i PS për Reformën Zgjedhore”; Balla: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit

Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, është kushti i vetëm politik i PS për Reformën Zgjedhore.

Kështu u shpreh sot Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili zhvilloi në Kryesinë e Kuvendit një takim me anëtarët e Këshillit të Koordinimit të Diasporës.

Gjatë takimit Balla theksoi se ky është një moment historik, pasi më në fund kemi konstituimin e Këshillit të Koordinimit të Diasporës.

“Diaspora Shqiptare është një aset për vendin tonë dhe ne si maxhorancë kemi menduar rritjen e përfshirjes së diasporës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale”, tha Balla.

Këshilli i Koordinimit të Diasporës, i kryesuar nga Mark Gjonaj i shprehën Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mirënjohjen për rolin e Kuvendit të Shqipërisë për Krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinativ të Diasporës, pasi sipas tyre ky këshill do të jetë një zë i rëndësishëm për ta në Shqipëri.

Lidhur me këtë, numri dy i PS-së, Taulant Balla u shpreh se vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit është kushti i vetëm politik i Partisë Socialiste në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, e cila është duke u diskutuar.

“Reforma Zgjedhore ka nevojë për një dakordësi, e cila shkon përtej mazhorancës dhe opozitës parlamentare dhe një parashikim i tillë duhet të përqafohet edhe nga aktorë të tjerë të rëndësishëm politik në vend”, tha Balla.

Përpos çështjes së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorrit, përfaqësuesit e Këshillit të Koordinimit të Diasporës ngritën edhe një sërë çështjesh të tjera siç është ajo e njësimit të kontributeve shoqërore apo edhe të nënshtetësisë së dyfishtë për shqiptarët që jetojnë në diasporë.

Lidhur me këto çështje, Balla theksoi angazhimin e maxhorancës qeverisëse, e cila që në mandatin e parë ka punuar për realizimin e një sërë marrëveshjesh me me shtete anëtare të BE, por jo vetëm.

“19 nga 28 vende anëtare të BE-së tashmë kanë një marrëveshje me Shqipërinë në lidhje me njësimin e kontributeve të bashkëkombasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende”, nënvizoi Balla.

 

Fraksion.com