Konferenca e Donatorëve; Giuseppe Conte: Italia do të jetë në radhën e parë
Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lihet vetëm në këtë situatë të vështirë, që shkaktoi më shumë se 50 viktima, më shumë se 900 të plagosur dhe me qindra shtëpi të dëmtuara e mijëra qytetarë të mbetur të pastrehë.
Me këto fjalë iu drejtua sot kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI), gjatë samitit që po mbahet në Itali.
Duke bërë thirrje për pjesëmarrje dhe angazhim konkret në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, Conte u shpreh se “ju ftoj të tregoni solidaritetin tuaj ndaj mikes sonë, Shqipërisë, që u godit nga lëkundje të shumta tërmeti. Ju kërkoj të kontribuoni në fondin e rindërtimit”.
“Këtë e diskutuam edhe në takimin e fundit të Këshillit Europian. Së bashku me presidenten e re, Ursula von der Leyen, ramë dakord për një konferencë donatorësh”, – theksoi Conte.
Kryeministri italian tha se “edhe në këtë iniciativë, Italia do të jetë në radhën e parë”.
Fraksion.com