“Kallëzimit të rremë”; Salianji dënohet me 1 vit burg
Gjykata e Tiranës vendosi dje të shpallë fajtor dhe të dënojë me 1 vit burgim ish deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj
Në vendimin e saj Gjykata sot dënoi me 3 vjet dhe 5 muaj burgim dhe Albert Veliun, personin që pranoi se ka kyer përgjimin. Dy vjet burgim u dhanë për Fredi Alizotin, i cili rezultoi të ishte njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun. Ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, i cili i kishte dhënë Veliut pajisjen përgjuese, u dënua me 6 muja burg, por që do të konvertohet në 100 orë pune në shërbim publik.
Sipas hetimeve të Prokurorisë ish deputeti Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”.
Ashtu si dhe në seancën kur u dha pretenca e prokurorisë, edhe sot në sallë, kishte shumë ish deputetë demokratë. Numri dy i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, foli për një vendim politik sipas tij, që synon t’i mbyllë gojën opozitës. Edhe zoti Salianji akuzoi gjyqtarin e ështjes Artan Gjermeni si një person të lidhur me banda kriminale dhe se vendimi ndaj tij kishte qenë i paracaktuar. “Ishte një vendimmarrje e shkruar shumë kohë më përpara, e pabazuar në ligj, e pabazuar në prova, e pabazuar në fakte. E bazuar vetëm në dëshirën politike të kryeministrit dhe në ambicien politike të gjyqtarit anëtarë të bandave të Lushnjës dhe të akuzuar me lidhje të forta me bandat dhe me krimin në këtë vend”, u shpreh zoti Salianji, duke shtuar se do të vijonte të kërkonte të drejtën e tij në shkallët e tjera të gjyqësorit.
Nga selia e Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha ishte në të njejtën linjë kur tha se “për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht, nuk ka asnjë dyshim se ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj. Për ne nuk ka asnjë surprizë për hakmarrjen e Edi Ramës ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë direkt në trafikun e drogës”, tha zoti Basha.
Fraksion.com