AktualitetPolitikëTë fundit

“1 vit burg”; Meta takon Ervin Salianjin, zbardhet biseda mes tyre

Një ditë pasi gjykata e dënoi me 1 vit burg për çështjen e ‘Babale’, ish deputeti i PD Ervin Salianji është thirrur nga kreu i shtetit. Lajmin e bën me dije zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi në një postim në rrjetet sociale.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta, priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kreu i Shtetit e inkurajoi Salianjin, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.

Kreu i Shtetit e garantoi Salianjin se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”.

 

Fraksion.com