AktualitetPolitikëTë fundit

Pasojat nga tërmeti; Transformim tërësor urban e social, që nga plaga e madhe në Thumanë deri te shtëpia më e largët

Kryeministri Edi Rama informoi sot se pas fazës së parë për akomodimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ka nisur puna për planet e reja të zhvillimit e falë solidaritetit të madh ndër shqiptar janë grumbulluar fonde të konsiderueshme përmes platformës apo organizatave të mirënjohura për njerëzit në nevojë.

“Si asnjëherë më parë të gjitha forcat janë bashkë, në një tryezë me të gjithë aktorët për të çuar përpara një proces rindërtimi”, u shpreh Kryeministri në fjalën e tij në Kuvend.

Ai shprehu besimin se nga kjo situatë ne dalim më të fortë e se çdo i prekur do të përfitojë një cilësi të re jete, ndërsa garantoi transparencë të përdorimit të të gjitha burimeve në dispozicion.

“Unë besoj se shumë shpejt do të fillojnë të shihen filizat e parë të këtij procesi rindërtimi. Dallimi i madh mes të djeshmes e së ardhmes për të gjithë këto familje do të jetë transformimi tërësor urban e social, që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri te shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme”,- tha Rama.

Më tej, Rama theksoi se me një grup arkitektësh të huaj, të mirënjohur ndërkombëtarisht do të vijojë puna intensivisht për të garantuar që zonat e reja të jenë shembuj transformues, jo thjesht për familjet, por dhe për drejtimin e mëtejshëm të transformimit tërësor nga pikëpamja sociale.

Kryeministri Rama duke folur për reagimin e qeverisë menjëherë pas tërmetit shprehu vlerësimin për çdo anëtar dhe strukturë të saj.

“Nuk mund të mos shpreh ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për gjithë ministrat, deputetët e kryetarët e bashkive të angazhuar në vijën e parë, që në orën e parë, në përballimin e pasojave të tërmetit. Unë nuk e di nëse dikush do të kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë do të arrinte të bënte atë që bëri në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme, ku mijëra njerëz u gjendën në rrugë pa strehë”,- u shpreh kryeministri.

Njerëzit, tha Rama, janë kalbur rrugëve nëpër çadra janë harruar dhe faktikisht u është dashur një kohë e tej gjatë për të rimarrë veten.

“Në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka patur një banorë i Republikës pas një fatkeqësie natyrore. Mbi 4 132 persona të kategorive të ndryshme sociale janë akomoduar në hotele, që për standardet e Shqipërisë janë hotele luksi me të gjitha shërbimet si të ishin turistë gjermanë e norvegjez, të ardhur dhe të gjithë përkujdesjen  shëndetësore e vijimin normal të jetës së tyre përfshirë edhe vijimin e shkollës për fëmijët. 3452 familje e 202 studentë kanë marrë qiranë për tu akomoduar në kushte shtëpie sipas zgjedhjes së tyre për të vijuar jetën normale”, – informoi kryeministri.

Po ashtu, ai theksoi se 3178 persona në fshat që me të drejtë e kanë të vështirë e të pamundur të largohen nga trualli i shtëpisë së pabanueshme është garantuar përkujdesja dhe vijon procesi i plotësimit të nevojave me çadrat dimërore.

Në të njëjtën kohë, ai tha se po vijon procesi i vlerësimit të dëmeve dhe deri tani janë inspektuar mbi 19 mijë objekte.

“Deri sot, 56 objekte janë shembur, 49 në Durrës, 4 në Tiranë, 3 në Lezhë, ndërsa është në proces prishjeje gjithë kompleksi i konvikteve të Universitetit Bujqësor”, u shpreh kryeministri.

Mjafton, theksoi Rama, të shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për këta njerëz për të kuptuar çfarë kapërcimi epokal është bërë në adresimin e situates nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore.

“257 punonjës social e psikolog të angazhuar në një rrjet të tërë dhe që sigurojnë së bashku me 320 mjeke e infermiere shërbim 24 orë të njerëzve të regjistruar si të goditur nga kjo fatkeqësi. Janë akomoduar në shtëpi të reja brenda datës 15 dhjetor të gjitha familjet e viktimave për të cilat është akorduar nga qeveria një paketë special trajtimi financiarë dhe jo vetëm.

 

Fraksion.com