AktualitetPolitikëTë fundit

OSBE pranoi paketën antishpifje

Pas diskutimesh të shumta, OSBE-ja ka miratuar pr/ligjet antishpifje në Shqipëri. Varianti përfundimtar i paketës, i ndryshuar gjatë ditës së djeshme është në përputhje me standardet nderkombëtare, thotë OSBE.

I ngarkuari i OSBE-së per mbrojtjen e lirisë së medias, Harlem Desir, e ka miratuar draftin përfundimtar të paketës anti-shpifje që pritet të kalohet të mërkurën paradite në parlament në Tiranë. Mes një postimi në Twitter, Desir ka konfirmuar, se deri në minutën e fundit janë bërë ndryshime në tekst, për ta sjellë ligjin në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. “Janë bërë shumë përmirësime në versionin e fundit të publikuar sot krahasuar me projektligjin e mëparshëm” ka thënë Desir. Ai tha se ishin bërë ndryshime në versionin e fundit të projekt-ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e mediave online, me afatet kohore për rrëzimin e përmbajtjes, kompetencat e AKEP-it, dhe me të drejtën e përgjigjes në publikimet elektronike si masa për të shmangur abuzimet.

Reagim nga Ministria e Jashtme gjermane

Ministria e Punëve të Jashtme gjermane kishte kërkuar  më parë nga Shqipëria rishikimin e projektligjeve anti-shpifje: “Në parim, ne përshëndesim faktin që propozimet konstruktive të të ngarkuarit të OSBE-së për median deri më tani janë marrë parasysh në hartimin e projekt-ligjit dhe gjithashtu do ta mirëpresim edhe nese merren parasysh propozimet e fundit të të ngarkuarit  te OSBE-se për media “, i tha nder të tjera  MPJ-gjermane Deutsche Welles. Është me “rëndësi të jashtëzakonshme” që “ligjet të jenë në përputhje me ligjet e BE-së”.

Më pak diplomatike ishin kritikat që erdhen nga shoqata e gazetarëve “Reporterët pa Kufij”. “Kjo reformë do të kufizonte ndjeshëm lirinë e medias në Shqipëri”, i tha DW, Christian Mihr, drejtues i degës gjermane në Berlin. Ai tha më tej se “mundësia e sanksionimit të medias online bien ndesh me detyrimet e Shqipërisë nga për shembull Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut”. Miratimi i paketës ligjore në këtë formë do të ishte “një sinjal negativ” i “kryetares së radhës së  OSBE-së, nëse kjo do “të injoronte kritikat e gjera ndaj këtij projektligji kaq problematik”, tha Mihr .

Kritika erdhën edhe nga Këshilli i Evropës. Andrej Hunko, ligjvënës në Bundestagun gjerman (E majta) dhe raportues për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i tha Deutsche Welles se ligji është shumë shqetësues, sidomos për shkak të anashkalimit të instancave gjyqësore dhe ka bërë thirrje që ligji të diskutohet me shoqatat e gazetarëve. “Miratimi i pandryshuar dhe i nxituar mund të kufizojë ashpër lirinë e mediave në Shqipëri,” paralajmëroi Hunko.

Dy projektligjet e së ashtuquajturës “Paketa anti-shpifje” synojnë mbikëqyrjen e medias elektronike. Ato i japin kompetenca të reja Autoritetit Mbikëqyrës të Mediave (AMA).  Paketa ligjore parashikon ndër të tjera që AMA të ndërhyjë ne raste shkeljesh dhe të kërkojë prej portaleve qe te heqin pjesë nga përmbajtjet e tyre. Organizatat  e gazetarëve ndërkohë kane paralajmëruar protesta kundër projektligjit, i cili pritet të miratohet paraditen e së mërkurës në seancë të jashtëzakonshme në parlament.

 

Fraksion.com