AktualitetBota+Të fundit

Në procesin e shkarkimit të mundshëm, Shtëpia e Bardhë kthen vëmendjen tek Senati

Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve pritet t’i miratojë akuzat për shkarkimin e mundshëm të Presidentit, Donald Trump këtë javë, Shtëpia e Bardhë po e kthen vëmendjen tek Senati me shumicë republikane që do të luajë rolin e një jurie të një procesi gjyqësor që do të vendosë për fatin e presidentit në janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara shpjegon se si zoti Trump dhe aleatët e tij po përgatiten për një mbrojtje të shpejtë dhe agresive, me objektivin për të sfiduar demokratët e opozitës.

Dhjetori është zakonisht muaj festash dhe hareje.

Por Shtëpia e Bardhë po bëhet gati për betejë.

Këtë javë, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, pritet të votojë për miratimin e akuzave për abuzim me pushtetin dhe pengimin e Kongresit ndaj Presidentit Donald Trump.

Zoti Trump do të përballet me gjyq në senat, ku demokratët kërkojnë dëshmi të tjera, përfshirë nga Shefi i Personelit në detyrë, Mick Mulvaney dhe ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton.

“Ata mund të paraqesin informacion që e shfajëson PresidentinTrump. Por mund edhe ta inkriminojë atë. Sidoqoftë duhen dëgjuar”, thotë udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Deri tani, strategjia e Shtëpisë së Bardhë ka qenë të bllokojë dhe t’i quajë hetimet një “proces të sajuar partiak’, që ka efikas për të ruajtur mbështetjen e bazës për zotin Trump.

“Përsa kohë që ai ka mbështetjen e bazës, senatorët mund të mendojnë ‘nuk më leverdis të dal kundër presidentit, nëse do të kandidoj për t’u rizgjedhur’”, thotë Todd Belt, i Universitetit “George Washington”.

Tani që procesi kalon tek senati i udhëhequr nga republikanët, strategjia e Shtëpisë së Bardhë po ndryshon. Ata po punojnë me republikanët kryesorë për ta mbyllur procesin me shpejtësi dhe të kufizojnë dëmin politik.

“Kam dëgjuar Mitch (McConnell). Kam dëgjuar Lindsey (Graham). Mendoj se janë në një mendje. Do të bëj ç’të duan ata. Nuk ka rëndësi”, tha presidenti Trump duke iu referuar kreut të shumicës republikane në senat dhe kreut të komisionit juridik të senatit.

Senatori McConnell është angazhuar për një “koordinim të plotë” me administratën. Kritikët e akuzojnëse ka shkelur detyrimi për të qenë i paanshëm.

“Kjo lloj strategjie ka funksionuar më parë për zotin McConnell. Ai e shpreh se ku qëndron besnikëria e tij, se çfarë do të bëjë dhe çfarë nuk do të bëjë. Prandaj ai ka bindjen se kjo është ajo që duan republikanët”, thotë Vanessa Beasley e Universitetit Vanderbilt.

Një tjetër strategji: të vazhdojnë sulmet ndaj kandidatit presidecial Joe Biden, duke e quajtur të korruptuar se lejoi të birin të bënte pjesë në bordin e një kompanie ukrainase të energjisë, kur ishte vetë nënpresident. Akuzat mund ta dëmtojnë zotin Biden.

“Ju nga ana tjetër dërguat djalin atje, të punonte për një kompani gazi”, thotë një votues.

Joe Biden i ka shpërfillur kërkesat që ai të dëshmojë në gjyqin e Presidentit Trump, duke e quajtur një manovër për të larguar vëmendjen./voa

 

Fraksion.com