AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli i Diasporës; Rama: Transparencë e plotë; Do të dalim më të fortë nga kjo situatë

Kryeministri Edi Rama, ka falënderuar Diasporën Shqiptare, e cila siç tha ai, në këto 30 vite tranzicioni ka qenë investuesi më i madh në vendin tonë.

I pranishëm në Këshillin Koordinues të Diasporës në Tiranë, z Rama garantoi të gjithë personat që kanë kontribuuar financiarisht për tërmetin e 26 nëntorit se ndihma e tyre do të shkojë në destinacion. Ai tha se procesi i rindërtimit do jetë tërësisht transparent dhe nuk do lejohet asnjë abuzim.

“Më vjen mirë që 13 mijë  banorët u sistemuan nëpër hotele dhe të tjerë në shtëpi me qira, ndërkohë pakujdesja ndaj tyre ka rezultuar e suksesshme. Sot që flasim vijon inspektimi i inxhinierëve  për të ndihmuar dhe ne urojmë që brenda janarit të kemi një raport të post-katastrofës, por edhe një faturë finaciare paraprake. Fill pas saj do të filloj pjesa e rindërtimit.
Ne duam të dalim më të fortë nga kjo situatë dhe falë procesit të rindërtimit të krijojmë një cilësi të re në marrëdhëniet e njerëzve, por edhe marrëdhëniet e njerëzve me vetë vendin.
Qysh në sekondën e parë ne patëm komfortin e mbështetjes së Diasporës, që për hir të së vërtetës në 30 vite e Shqipërisë ka qenë investitori më i madh në Shqipëri. Askush nuk ka investuar më shumë se Diaspora shqiptare. Ne jemi besimplotë që fondet, përtej vlerës së tyre të konsiderueshme financiare, kanë një vlerë të konsiderueshme morale dhe sociale, do të shkojnë aty ku janë  destinuar sipas një transparence të plotë. Mekanizmi i transparencës do të jetë i besueshëm dhe i aksesueshëm nga të gjithë.”, tha ai.
Fraksion.com