AktualitetBota+Të fundit

DASH, qëndrim i pandryshuar për çështjen e vrasjes së armenëve

Departamenti amerikan i Shtetit tha se rezoluta e miratuar së fundmi në Kongres për të njohur gjenocidin armen nuk pasqyron politikën e administratës së presidentit Donald Trump.

Në një deklaratë të shkurtër të martën, Departamenti i Shtetit tha se qëndrimi i administratës Trump për këtë çështje është i pandryshuar.

Senati votoi njëzëri javën e kaluar për të njohur si gjenocid vrasjen masive të më shumë se 1 milion armenëve nga turqit osmanë një shekull më parë. Dhoma e Përfaqësuesve kishte miratuar më parë një projekt-ligj të ngjashëm megjithë protestat e ashpra të aleatit të NATO-s, Turqisë.

“Pozicioni i administratës nuk ka ndryshuar,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus në një deklaratë të shkurtër me vetëm dy fjali. “Pikëpamjet tona pasqyrohen në deklaratën përfundimtare të presidentit për këtë çështje prillin e kaluar.”

Më 24 Prill, Presidenti Donald Trump përkujtoi Ditën e Kujtimit të Armenëve me një deklaratë që nderonte “kujtimin e atyre që vuajtën në një nga mizoritë më të këqija masive të shekullit të 20-të”. Në përputhje me politikën tashmë të njohur amerikane, deklarata nuk përdorte termin “gjenocid”, shkruan voa.

Rezoluta e Senatit pasoi një votim të një komisioni të Senatit për të vendosur sanksione ndaj Turqisë pas ofensivës së saj në Siri dhe blerjes së sistemit raketor rus S-400.

Synimi i Kongresi ishte të nxiste Presidentin Trump të merrte një linjë më të ashpër ndaj Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

 

Fraksion.com