AktualitetPolitikëTë fundit

“Anti-shpifja”; Gazetarët protestojnë para Kuvendit kundër projekt-ligjit

Nërkohë që parlamenti pritet të miratojë ditën e sotme projektligjet e paketës anti-shpifje, gazetarët kanë nisur protestën e tyre përpara kuvendit.

Protesta është e heshtur, duke simbolizuar sipas tyre “tentativën për mbyllje të gojës”.

Përpos pankartave, protestuesit kanë zgjedhur të vendosin  edhe nga një shall të zi.

“Nëse heshtim sot s’do kemi mundësi të flasim nesër. S’ka nevojë të dalim të flasim për të tërhequr vëmendjen. Shalli i zi që po mbajmë është simboli i mbylljes së gojës që do tentojë të ndodhë pas miratimit të ligjit. Unë mendoj se nuk ka për të ndodhur, s’ka ndodhur në diktaturat më të egra. Ata që duan të flasin kanë për të folur dhe i kanë pranuar pasojat. Edhe pse janë internuar kanë folur sërish. Ky ligj s’do ketë efekt negative për gazetarët, do flasim veçse në kushte të papërshtatshme; nga qelia ose nga jashtë vendit. Ata që kanë bindjen se do flasin, do flasin. Kjo paketë s’duhet të miratohet sepse krijon institucione administrative që janë mbi drejtësinë”, tha Abilekaj.

Më tej, ai shtoi se protestës i janë bashkuar shumë student dhe njerëz të lirë që sipas tij, duket se kanë kuptuar rëndësinë e lirisë së fjalës në vend.

“Janë bashkuar edhe parti politike. Shpresojmë që të mos jenë bashkuar për të përfituar, por ta shohin si kauzë shumë të rëndësishme.”

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve paraqesin kërkesat, që sipas tyre janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:

1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;

2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;

Për sa më sipër, organizatat përsërisin kërkesën ndaj qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.

Gazetarët i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë: “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të çdo tendence antidemokratike dhe antieuropiane./TCH

 

Fraksion.com