AktualitetPolitikëTë fundit

Rama me fëmijët e akomoduar në Durrës: Përkujdesje e veçantë me mësues e psikologë

 Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku takoi banorët e strehuar në komplekset turistike “Aler” dhe “Fafa, aty ku kopshti dhe shkolla kanë mbërritur në hotel për “fëmijët e tërmetit”, nën përkujdesjen e posaçme gjatë gjithë ditës, me mësues e psikologë mbi kokë.

Në kompleksin “Aler” janë krijuar klasa të posaçme shkollore për fëmijët nga klasa e parë në të pestën, të cilët janë pajisur me libra dhe mjete mësimore. Ndërkohë që për fëmijët e sistemit 9-vjeçar dhe të gjimnazit është siguruar transport nga bashkia drejt shkollave në Durrës.

Pronari i këtij kompleksi informoi kryeministrin Rama se fillimisht në këtë kompleks janë akomoduar 140 persona, ndërkohë që 20 prej tyre janë sistemuar tashmë dhe janë larguar. “Në fillim kishin 45 fëmijë, ndërsa sot që flasim janë 36 fëmijë”, tha ai.

Ndërsa vizitoi fëmijët në një orë mësimi, kryeministri Rama u ndal të bisedonte edhe me familjarët.

Ai u kërkoi durim, ndërkohë që i siguroi se qeveria po bën maksimumin e mundshëm për të dalë nga kjo situatë.

“Duhet të bëni durim. Nuk je në mes 4 rrugëve, je këtu me gjithë të mirat. Ka të tjerë që i çuan autokolonë në botën tjetër, ndaj e para përqafoji fort gjithë këta që ke dhe thuaji faleminderit o Zot që i kam të gjithë këtu. “Ombrellat” shkojnë e vijnë, jeta nuk vjen më”, iu drejtua Kryeministri një banoreje.

Rama siguroi se inspektimet e banesave po vazhdojnë çdo ditë dhe banorëve u është siguruar bonusi i qirasë nga shteti.

“3 shtylla ti, 3 shtylla ai, 3 shtylla ai tjetri bëjnë miliona shtylla dhe ne jemi vetëm pak më shumë se 2 javë nga tërmeti. Unë nuk kam ndonjë shkop magjik se po të kisha do t’i kisha rënë dhe do ti ngrija të gjitha shtyllat në këmbë. Ne po bëjmë gjithë inspektimet. 24 orë ka dita dhe 22 orë unë i përdor për këtë, ashtu si unë dhe shumë të tjerë që po merren me këtë punë”, iu drejtua Rama banores që kërkoi inspektimin e menjëhershëm të pallatit të saj.

Rama i tha se ajo nuk do të paguajë asnjë gjë dhe nëse pallati nuk ka probleme strukturore do të riparohet dhe do të hyjë në pranverë, nëse do të vendoset se është për t’u shembur do të shembet, do të rindërtohet nga e para dhe do të hysh në 2021, por ndërkohë nuk të kemi lënë rrugëve”.

Kryeministri tha se “pas 1 janarit banorët mund të kërkojnë shtëpi me qira dhe pagesa do të bëhet nga shteti”.

Rama vizitoi po ashtu edhe familjarët dhe 30 fëmijët e vegjël të akomoduar në kompleksin “Fafa”, ku po ashtu janë ngritur klasa parashkollore.

“Ky është fati i përbashkët dhe do ta kalojmë bashkë. Ne do të punojmë që t’ju sistemojmë sa më shpejt. Keni qiratë në dispozicion duhet të sistemoheni vetë deri kur të hyni në shtëpi të re, duhet durim. Këtu shërbimi është maksimal, gjithçka është në rregull. Me fëmijët po merremi për shkollë, kopësht e të gjitha. Më shumë se kaq nuk e dimë çfarë mund të bëjmë, por po bëjmë maksimumin”, u tha Rama banorëve.

 

Fraksion.com