AktualitetPolitikëTë fundit

“Paketa antishpifje”, KiE: Nevojë për përmirësim urgjent

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, tha sot se ndryshimet ligjore, pjesë e së ashtuquajturës “Paketë antishpifje”, të propozuara nga qeveria shqiptare “kanë nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”. Përmes një deklarate ajo shprehu “shqetësim të thellë” që parlamenti shqiptar vijoi me shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara.

“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të ekzagjeruara dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe ndërhyrja e një rregullimi nga Shteti të mediave online, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend”m thekson zonja Mijatovic, e cila më parë ka mbulluar dhe funksionin e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e mediave.

Në deklaratën e saj për situatën e krijuar në Shqipëri, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut nënvizon se “është me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që të mbizotërojë vetë-rregullimi nga ana e mediave, përfshirë mediat online”, shprehet zonja Mijatovic ndërsa i bën “thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë projekt-ligjet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës “.

 

Fraksion.com