AktualitetPolitikëTë fundit

Ligji për mediet online; Nasufi: Akuzat e grupeve të interesit dhe opozitës pa argumente

Deputeti i PS-së Fadil Nasufi tha sot se ligji i medieve audiovizive nuk është një ligj që i paraprin censurës, siç shprehet opozita, pasi liria e shprehjes dhe ajo e medieve është e garantuar.

Ai thekson se ligji nuk i kufizon, por i fokuson drejt standardeve mediet, duke i dhënë fund lajmit të rremë.

“Nuk është një ligj që i paraprin censurës. Liria e shprehjes, liria e shtypit dhe e medieve elektronike është e garantuar, është një vlerë kyçe në demokraci. Ky është një ligj që rregullon mediet elektronike, siç janë rregulluar mediet e tjera, që të funksionojnë sipas standardeve demokratike”,  tha ai për ATSH.

Nasufi tha se akuzat e grupeve të interesit dhe të opozitës janë pa argumente.

“Akuzat e grupeve të interesit janë pa argumente, vazhdojnë të jenë në vazhdën kundërshtuese, jo me logjikë, jo me argumente bindëse, por me retorikë të krijuar në traditë të shqiptarëve që kundërshtimet ndonjëherë nuk janë bindëse”, tha deputeti i mazhorancës.

Në vijim, Nasufi shtoi se “janë bërë edhe propozime racionale që kanë të bëjnë me reflektim nga drafti i paraqitur nga Këshilli i Ministrave dhe ne besojmë se ato do të kalojnë në Komisionin e Medias dhe Informimit Publik me ndryshimet përkatëse, pa cenuar asnjë liri të shprehjes, mendimit të lirë dhe oponencë që bën shtypi në të gjitha format e tij”.

Po ashtu, Nasufi tha se “ligji ka një vit që është në debat dhe i ka kaluar grupet e interesit, por kur vjen faza finale, ndoshta dhe për shkak të debateve që krijohen kur vjen në komisionet përkatëse, aktorët bëhen më prezent dhe sjellin mendimet e tyre, kundërshtimet e tyre, apo bëjnë kundërshtimin e pabazë në këndvështrimin apo luftën politike që e kanalizojnë edhe këtë ligj.”

Në vijim, Nasufi tha se më këtë ligj krijohet një kornizë ligjore që mediet elektronike të regjistrohen, të jenë medie të rregulluara, siç janë format e tjera të medias.

Po ashtu ai shtoi se “lufta politike te ne bëhet shumë e ashpër. Ne i vlerësojmë gazetarët, se ata janë gardianë të demokracisë, nuk ka derë që nuk duhet të hapin gazetarët, por ama, të përçojnë vlerat e demokracisë dhe të vërtetën. Ligji nuk i kufizon, por i fokuson drejt standardeve dhe ajo që promovon lajmin e rremë duhet të marrë fund”.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, dhe projektligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, ndërsa opozita e konsideron ligjin si dhunim të lirisë së medieve.

 

Fraksion.com