3 mijë euro nga persona me probleme në Shengen, dy të arrestuar në portin e Durrësit
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, procedoi 1 punonjës policie me detyrë kontrollor në Portin e Durrës si dhe arrestoi 2 shtetas të tjerë, të cilët në lidhje me njëri-tjetrin, dyshohet se trafikonin nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit, shtetas të ndryshëm me probleme në zonën Shengen, kundrejt pagesave të konsiderueshme deri në 3.000 euro.
Pas hetimit për një periudhë 3-mujore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, u finalizua operacioni “Sekseri” ku u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– B.D., 44 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë punonjës në Zonën e Terminalit, i një shoqërie të kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës. Ky shtetas, në rolin e sekserit, organizonte dhe ndërmjetësonte me punonjës policie, duke krijuar kushte për kalim të paligjshëm të personave me probleme në zonën Shengen. Në cilësinë e provës materiale në momentin e arrestimit, iu sekuestrua vlera prej 1.300 euro, vlerë e përfituar nga kalimi i paligjshëm i shtetasit.
– T.D., 28 vjeç me banim në Durrës, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, i cili ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme. Iu kapën dhe sekuestruan 500 euro.
– Ndiqet në gjendje të lirë punonjësi i policisë V.C., 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës.
Hetimi vijon për zbulimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Fraksion.com