Paketa anit-shpifje; Hajdari: Vetëm gjykata duhet të dënojë shpifjet
Deputetja Rudina Hajdari reagoi sot ndaj ndryshimeve në ligj për mediet online, të cilat sipas saj “i japin më shumë kompetenca AMA-s dhe AKEP, gjë që bën që mediet të bien në censurë dhe autocensurë”.
Në një konferencë për mediet, Hajdari tha se edhe masat administrative që parashikohen janë shumë të larta dhe nuk përballohen dot nga redaktorët dhe gazetarët.
“Shoqata e Medieve ka kërkuar që ‘Paketa antishpifje’ të rrëzohet dhe të merren parasysh institucione vetërregulluese. Në fakt, Rama i ka dhënë kompetenca të shtuara AMA-s të mbyllë medie pa vendim gjykate. Si mundet që AKEP dhe AMA të ketë këto kompetenca në kundërshtim me veprimet demokratike”, tha ajo.
Hajdari tha se “Gjykata duhet të jetë ajo që dënon shpifjet”. “Në një kohë që Reforma në Drejtësi vazhdon Rama merr kompetenca që nuk i takojnë. Krijon kompetenca paralele si kjo e anti-shpifjes dhe KÇK. I bëjmë thirrje të ndalojë degradimin e Reformës në Drejtësi, të lejojë që reforma të vazhdojë dhe të mos bëjë iniciativa ligjore që nuk i takojnë këtyre strukturave. Duhet të merren parasysh rekomandimet e OSBE për paketën anti-shpifje. Këto propozime nuk janë marrë parasysh. Kërkojmë që para seancës plenare qeveria të tërheqë paketën anti-shpifje pasi jemi para kryesimit të OSBE. Dhe nuk duhet të dobësojmë rolin e Shqipërisë. Duhet të tregojmë se ne jemi në gjendje t’i dëgjojmë”, tha Hajdari.
Fraksion.com