AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita parlamentare drejt bojkotit të Reformës Zgjedhore?

Reforma Zgjedhore mori një kthesë të re pasditen e kësaj të hënë kur bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri doli para mediave dhe njoftoi mosmbajtjen e mbledhjes për shkak të mungesës së opozitës së re. Damian Gjiknuri hodhi dyshimet e para për një bojkot të mundshëm të opozitës parlamentare.

“Sot nuk u bë kuorimi i mbledhjes sepse disa anëtarë nuk erdhën dhe bashkëkryetarja nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Puna vazhdon. Do të kemi njoftime për mbledhjen e radhës. Shpresoj që të mos jetë ngërç dhe bojkot. Ne presim mirëpresim partitë e opozitës parlamentare me një propozim. Shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës,” deklaroi Gjiknuri.

Deputetët Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi, konfirmuan për Top Channel arsyen e bojkotit të sotëm.

“Po bëhet çdo gjë fasadë. Kam kërkuar kalendar të veçantë pune. Pa një kalendar të qartë pune ne s’mund të jemi në atë komision. Mendoj që komisioni i reformës ka nevojë për një kalendar të qartë që të prekë dhe sistemin. S’mund të bëhemi pjesë e fasadës mbushëse të mazhorancës. Nuk jam dakord me metodologjinë e punës që po ndiqet. Koha është për veprim”, theksoi Gjoni .

“Për sot po është bojkot. Te jemi më serioz dhe me këmbë në toke. Duhet ndryshim sistemi”, deklaroi Murrizi.

Opozita parlamentare ka gati edhe propozimet e saj për ndryshimin e sistemit, dhe ato do të bëhen publike brenda kësaj jave.

Krahas opozitës jashtëparlamentare mazhoranca socialiste pritet të ketë një tjetër shqetësim. Nëse ajo nuk merr parasysh propozimin për prekjen e sistemit, atëherë prania e opozitës parlamentare në komisionin e Reformës Zgjedhore vihet në pikëpyetje edhe për mbledhjen e radhës për të cilën Damian Gjiknuri nuk dha asnjë datë.

 

Fraksion.com