AktualitetTë fundit

Nis puna për lagjen e re në Vaqarr ku do të sistemohen familjet e prekura nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vaqarr, Tiranë, ku do të nisë puna për ndërtimin e lagjes së re në të cilën do të vendosen banorët e prekur nga tragjedia e 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot hapësirën ku do të ngrihet kjo lagje e re, e cila ka një sipërfaqe mbi 4 hektarë dhe që është në pronësi të shtetit.

Në një takim me banorët, Rama tha se “zona e ish-repartit ushtarak ka një potencial të jashtëzakonshme për t’u kthyer në një lagje model për të gjithë ata që jetuan errësirën, e që ne nuk do t’i lëmë kurrë vetëm”.

Ai theksoi se “po merren të gjitha masat që të gjitha shtëpitë e rrënuara dhe që nuk rindërtohen, të bëhen të reja”.

“Për të gjithë bëhet më mirë. Në këtë rast është tokë-shtet që ne do ta vëmë në dispozicion të banorëve. Për fëmijët bëhet mirë, sepse kanë afër shkollën, çerdhen, kopshtin afër. Për më të moshuarit është shumë mirë, sepse kanë afër qendrën shëndetësore. Në këtë mënyrë, fitojmë një lloj cilësie dhe shtëpitë do jenë shumë më të mira se ato që ishin. Po duhet edhe pak punë nga ana juaj për t’jua shpjeguar, se ndryshe është një mundësi e madhe e humbur, dhe një mbetje në vend numëro. Nga kjo duhet të dalim të gjithë më mirë, familje, komuniteti”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk diskutohet që nuk preket toka, por banesat e  dëmtuara duhet të shemben”. “Toka e secilit është toka e secilit, por kjo këtu është tokë-shtet që ne do ta vëmë në dispozicion të banorëve. Ndërkohë që aty ku është dëmtuar shtëpia hiqet dhe rri toka, kush ka bagëtitë i mban. Në këtë mënyrë fitojmë një lloj cilësie komplet të re, pa llogaritur faktin që shtëpitë do të jenë shumë më të mira se ato që ishin dhe kushtet e jetës do të jenë shumë më të mira. Por duhet pak punë edhe nga ana juaj që jeni këtu dhe pak durim nga ana e banorëve. Kjo është një mundësi e madhe për të mos ndenjur në vendnumëro dhe nga kjo ne duhet të dalim të gjithë më mirë, çdo familje, komuniteti dhe njësia”, – tha Rama.

Brenda vitit 2020 banesat e reja private do të jenë gati për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në zonat rurale të Tiranës. Gjatë takimit me kryepleqtë e fshatrave në zonën e Vaqarrit, Rama dhe Veliaj theksuan se gjer në mesin e vitit të ardhshëm do jetë bërë volumi më i madh i punës, ndërkohë që ky proces do të ketë përfunduar brenda 2020-s.

Sa i takon zonës urbane, banorët u siguruan se në 2021 ata do të jenë në shtëpitë e tyre të reja dhe do të kenë letrat në dorë.

“Toka është bujqësore, mbetet në pronësi të tyre, të bëjnë ç’të duan, askush në këtë proces nuk do marrë më pak se ç’ka. Më mirë Po, por më pak Jo. Më mirë Po. Ajo që duhet të bëjmë është që nga fjalët të kalojmë te veprat. S’kemi kohë pa fund sepse duhet ta bëjmë shpejt këtë proces. Duam që individualisht me shtëpitë e fshatit, deri në mes të vitit tjetër të kemi bërë një volum goxha të rëndësishëm dhe deri në fund të vitit tjetër t’i kemi mbyll te gjitha. Ndërkohë që në qytet është pak më e komplikuar, sepse do bëhen dhe ndërtime për apartamente etj, etj, por dhe për atë dua që në 2021 të jetë mbyll procesi , ose të kenë hyrë në shtëpi ose e sheh që shtëpia është duke u ndërtuar dhe ti e ke letrën në dorë”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës bëri të ditur se toka që është programuar për ndërtimin e  lagjes së re është në qendër të Vaqarrit dhe ofron akses në të gjitha institucionet shëndetësore dhe ato arsimore: shkolla, kopshte e çerdhe.

“Këtu është qendra, është në zemër të Vaqarrit, pra njësia administrative, shkolla, kopshti rrethohet e gjitha me shërbime. Kjo është rruga qendrore, që lidhet me Ndroqin dhe Pezën. Praktikisht, ne krijojmë një stil amerikan, ku ka një hapësirë të gjelbër në mes, një qendër komunitare për aktivitete të ndryshme, për ndonjë çerdhe, kopsht, mensë apo diçka e tillë, dhe të çiftuara dyshe-dyshe arrijmë të akomodojmë 35 familje nga 43 të prekura në gjithë Vaqarrin administrativ. Pra bëhet fjalë për një banesë monofamiljare, që akomodon familjen bazë, ka një verandë të vogël dhe një pjesë bahçe mbrapa”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe në disa fshatra të tjera të Tiranës, si në Baldushk, Mustafakoç, apo Pezë, ku gjithashtu banorët do strehohen në shtëpi të reja, duke patur edhe ekonominë e tyre afër. “Të njëjtën gjë kemi bërë në Baldushk, pra kemi gjetur edhe atje një vend tjetër, në Mustafakoç ku ishte edhe koncentrimi më i madh i shtëpive dhe kemi edhe tri hapësira në Pezë”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai shtoi se në të gjitha këto lagje do ketë edhe një qendër komunitare, kryesisht për kujdes ndaj të moshuarve.

 

Fraksion.com