Komisione i Ligjeve miraton ndryshimet në ligj për mediet online
Projektligjeti do t’i kalojnë për miratim Kuvendit, ndërkohë që opozita dhe grupet e interesit e konsiderojnë atë cenim të lirisë së medies.
Konkretisht në rastet e shkeljes së dispozitave të këtij ligji, AMA vendos: detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të publikuar formulën e korrigjimit sipas formës dhe përmbajtjes së parashikuar në nenin 53/1 të këtij ligji.
Po ashtu, vendos nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”; gjobë, shuma e së cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij; pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit; uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit; heqjen e licencës dhe/ose autorizimit.
Në vendimin e saj “AMA merr në konsideratë masën dhe kohëzgjatjen e shkeljes së kryer dhe vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes”.
Kur AMA vëren shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat me ligj vendosin sanksione organet e tjera shtetërore, atëherë ajo njofton këto të fundit.
Po ashtu, parashikohet që Autoriteti i Komunikimit Elektronike dhe Postar (AKEP) urdhëron heqjen e përmbajtjes së caktuar menjëherë, por jo më shumë se 60 minuta nga njoftimi në rastet kur shërbimet e medias elektronike dyshohet se mund të nxisin kryerjen e një nga veprave penale në vijim: pornografi me fëmijë; inkurajimin e akteve terroriste; shkelje të sigurisë kombëtare.
Në rast të mosplotësimit të urdhërit brenda afatit të përcaktuar, bllokohet aksesi në internet.
“AMA pasi dëgjon ofruesin e shërbimit të publikimeve elektronike dhe nëse është e mundur autorin e përmbajtjes së publikuar, vlerëson shkeljen e kryer në raport me cenimin e së drejtës së lirisë së shprehjes në përputhje me parimin e propocionalitetit”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në medien audoiovizive.
Projektligji për disa ndryshime në medien audoiovizive parashikon që kundër vendimit të bllokimit të aksesit në internet, subjekti ka të drejtë të bëjë ankim pranë AMA-s brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit.
“AMA shqyrton ankesën dhe shpall vendimin brenda 7 ditëve pune. Kundër vendimit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën e Administrative Tiranë. Vendimet e AMA-s ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor. Kundër vendimit të Këshillit të Ankesave mund të bëhet ankim sipas dispozitave të pikës 6 të këtij neni. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesave. Vendimet e KA-së do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. KA nuk ka detyrim të parapaguajë tarifën ose tarifën për shërbimin përmbarimor”, thuhet në projektligj.