Kina pezullon tarifat shtesë për disa mallra amerikane
Kina ka pezulluar tarifat shtesë për disa mallra amerikanë që ishin planifikuar të zbatoheshin në 15 dhjetor, tha të dielën komisioni i tarifave doganore të Këshillit të Shtetit, pasi dy ekonomitë më të mëdha në botë ranë dakord për fazën e par të një marrëveshjeje tregtare të premten.
Marrëveshja, pritshmëritë e së cilës kanë trazuar tregjet botërore për muaj të tërë, zvogëlon disa tarifa amerikane në këmbim të atyre që zyrtarët amerikanë thanë se do të ishte një rritje e madhe në blerjet kineze të produkteve të fermerëve amerikanë dhe mallrave të tjera.
Tarifat hakmarrëse të Kinës, të cilat do të hynin në fuqi në 15 dhjetor, do të vinin në shënjestër mallrat amerikane nga drithërat e deri tek automjetet dhe pjesët e këmbimit të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, shkruan voa.
Tarifat e tjera kineze që janë zbatuar tashmë mbi mallrat amerikane do të lihen në fuqi, tha komisioni në një deklaratë të publikuar në faqet elektronike të departamenteve qeveritare, përfshirë ministrinë e financave të Kinës.
“Kina shpreson, në bazë të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, të punojë me Shtetet e Bashkuara, të zgjidhë siç duhet shqetësimet thelbësore të njëri-tjetrit dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me SHBA”, thuhet në deklaratë.
Pekini ka rënë dakord të importojë të paktën 200 miliardë dollarë në mallra dhe shërbime shtesë amerikane gjatë dy viteve të ardhshme mbi shumën që bleu në vitin 2017, tha të premten negociatori më i lartë i tregtisë amerikane.
Një deklaratë e lëshuar nga Përfaqësuesi i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara thuhet se Shtetet e Bashkuara do të linin në fuqi tarifat 25% në 250 miliard dollarë të mallrave kineze.
Fraksion.com