AktualitetTë fundit

Mjeku italian: Shqiptarët kanë forcën për të vijuar përpara pas tërmetit

Vullnetarë nga vende të ndryshme të botës mbërritën menjëherë në Shqipëri për të mbështetur banorët e prekur nga tërmeti i fortë që goditi vendin tone mëngjesin e 26 nëntorit që la pas 51 të vdekur e mbi 900 të plagosur.
Mimi Marco, përgjegjës shëndeti në një shoqëri vullnetarësh në Skandicci, provincë e Firences në Itali prej një jave ndodhet në Shqipëri.

“Jemi prej një jave këtu në Shqipëri me këtë mision, për të mbështetur të prekurit nga tërmeti. Kemi asistuar në zonat që janë larg Durrësit, në zonat rurale dhe sot jemi këtu në Vorë, në këtë kamp. Kemi takuar persona me probleme shëndetësore dhe të vendosurit në tenda. Në veçanti kemi vizituar banorët e prekur nga tërmeti në zonat e thella, në zonën e Laçit dhe Milotit. Kemi vizituar mbi 200 persona në ditë dhe kemi asistuar transportimin në spitale të personave me problem. Kemi bashkëpunuar dhe me mjekët në dhomat mjekësore të ngritura në hotelet, ku janë strehuar banorët e prekur nga tërmeti”, shprehet për ATSH-në, Marco.

Për Marcon është hera e parë që viziton Shqipërinë, ndërsa nuk e fsheh krenarinë që ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar sadopak të prekurit nga tërmeti.

“Për mua është hera e parë që jam në Shqipëri dhe është një krenari që si italian jam këtu për të ndihmuar. Ajo që më ka prekur më shumë është fakti se mbrëmë ka pasur një tërmet në Itali. Ne ishim këtu duke vëzhguar dhe mbështetur personat në tenda, që pavarësisht temperaturave të ulëta dhe faktit që kanë humbur banesat e tyre, kanë forcën për të vijuar përpara. Kjo është më e bukura”, -shprehet Marco.

 

Fraksion.com