HRW: Bosnja vazhdon me kushtetutën e saj diskriminuese
Politikanët në Bosnje nuk e kanë hequr ende statusin e klasit të dytë për hebrenjtë, romët dhe pakicat e tjera, edhe pse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar që dhjetë vjet se ky status në Kushtetutën e Bosnjës i shkel të drejtat e tyre, tha të premten organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch.
Janë rreth 400,000 boshnjakë, apo 12 për qind e popullsisë, që nuk mund të garojnë për president ose parlament, për shkak të fesë, përkatësisë etnike ose vendit ku jetojnë.
Kushtetuta e Bosnjës po ashtu i ndalon njerëzit që nuk duan të deklarojnë identitetin e tyre etnik, të garojnë për president.
Një nga personat që e ka çuar rastin në Gjykatën Evropiane ka qenë një boshnjak mysliman – i mbijetuar i gjenocidit në Srebrenicë – qytet që ëshë në atë pjesë të Bosnjës, ku vetëm serbët mund të garojnë për anëtar të Presidencës tripalëshe.
Presidenca e Bosnjës ka tre anëtarë nga secili grup i madh etnik: boshnjak mysliman, kroat dhe serb.
“Është e turpshme që një vend evropian ka kushtetutë diskriminuese kundër qytetarëve të tij që 24 vjet”, tha Clive Baldwin, këshilltar i lartë ligjor në Human Rights Watch.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të Bosnjës që të ndryshojnë, siç tha, kushtetutën diskriminuese.
Kushtetuta e Bosnjës – e hartuar nga ekspertë evropianë dhe amerikanë në kuadër të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje më 1995 – privilegjon tri grupet kryesore etnike: boshnjakët, kroatët dhe serbët, duke i konsideruar ata si njerëz “integralë”.
Kushtetuta u referohet 17 pakicave kombëtare, përfshirë hebrenjtë dhe romët, si “të tjerë” dhe nuk u lejon të garojnë për president apo Dhomën e Lartë të Parlamentit.
Bosnja besohet të jetë vendi i vetëm në botë me një kushtetutë që i etiketon disa nga qytetarët e saj si “të tjerë”.
Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.
Atëbotë, rasti u dërgua në gjykatë nga Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, boshnjak.
Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.
Fraksion.com