AktualitetPolitikëTë fundit

Rama merr mbështetjen e Italisë për Anti-KÇK dhe SPAK: Asistencë teknike dhe njerëz në terren

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot impenjimin konstant të Italisë për të shtyrë para procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë në veçanti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili zhvilli sot një vizitë zyrtare në vendin tonë, kryeministri Rama tha se “ka shumë e shumë gjëra për të cilat Italia meriton të falënderohet”.

“Falënderoj nga zemra ministrin Di Maio. Mund ta them me plot gojën, edhe pse është vizita e tij e parë në Shqipëri, ai është një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri, për të shprehur solidaritetin e Italisë me Shqipërinë dhe shqiptarët, në këto momente të vështira pas katastrofës së 26 nëntorit. Dua ta përsëris edhe njëherë publikisht sepse pavarësisht se e kam thënë nuk do jetë asnjëherë mjaft për ta përsëritur, shprehjen e mirënjohjes më të thellë ndaj Italisë”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen edhe për angazhimin e emergjencave civile italiane në operacionet e kërkim-shpëtimit. “Ata ishin të parët që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë realisht jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi”, tha Rama.

Rama e konsideroi të shkëlqyer marrëdhënien me Italinë, ndërsa theksoi se “më vjen shumë mirë që edhe me qeverinë e re italiane ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer në vazhdën e një tradite të krijuar.

Kryeministri theksoi se në takim u diskutua edhe për aspektet e partneritetit tonë strategjik me Italinë.

Ai tha se “Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë kryesor, i pari në marrëdhëniet ekonomike tregtare dhe pa diskutim vendi që nuk është kursyer asnjëherë në mbështetje të transformimit të Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci funksionale”.

“Me ministrin diskutuam edhe për reformën në drejtësi dhe legjislacionin kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, si dhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më ka konfirmuar atë që kemi dëgjuar dhe më parë, gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht në mënyrë tradicionale me asistencë teknike, por me njerëz në terren e bashkëpunim konkret”, tha Rama.

Ai theksoi se “duam të thellojmë më tepër partneritetin strategjik Itali-Shqipëri, duke vazhduar të afrohemi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. “Faktikisht interesi i përbashkët është gjithmonë e më evident në një kohë e botë ku jetojmë që bëhet  gjithmonë e më komplekse. E falënderoj ministrin edhe për mbështetjen e Italisë për marrjen e kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria dhe dua ta siguroj se në këtë funksion ne do të bëjmë më të mirën dhe do të jetë një vlerë e shtuar në bashkëpunimin tonë”, tha Rama.

 

Fraksion.com