“Washington Post”: SHBA-ja gënjeu publikun për luftën në Afganistan
Gazeta “Washington Post” ka publikuar një raport, të bazuar në dokumente konfidenciale të qeverisë amerikane, ku thuhet se tri administratat e Shtëpisë së Bardhë, kishin mashtruar publikun për mangësitë dhe dështimet në luftën 18-vjeçare në Afganistan.
Raporti zbulon se lufta në të cilën janë vrarë 2.300 ushtarë amerikanë ka kushtuar gati 1 trilion dollarë.
Rreth 400 zyrtarë të përfshirë në këtë çështje, të cilët janë intervistuar në kuadër të raportit, kanë shfaqur kritika që përfshijnë: strategjinë gjithnjë në ndryshim të Uashingtonit në Afganistan, mangësi në zhvillimin e një force efektive luftarake afgane, dështime për të mposhtur talibanët si dhe për të luftuar korrupsionin në qeverinë afgane.
“Ne nuk po e kuptonim në thelb Afganistanin – nuk e dinim se çfarë po bënim”, tha Douglas Lute, një gjeneral i ushtrisë, i cili shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si udhëheqësi i luftës në Afganistan, gjatë administratave të ish presidentëve, Xhorxh Bush dhe Barack Obama.
Intervistat ishin pjesë e një projekti nga Inspektori Special i Përgjithshëm për Rindërtimin në Afganistan.
Midis 938 dhe 978 miliardë dollarë janë shpenzuar që nga viti 2001 në Afganistan nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, sipas Neta Crawford, një profesoreshë e shkencave politike dhe bashkë-udhëheqëse e Projektit të Kostove të Luftës në Universitetin Brown.
Sipas dokumenteve, asnjë llogari gjithëpërfshirëse e qeverisë amerikane për shpenzimet e luftës nuk është kryer.
Për më tepër, disa prej të intervistuarve thanë se statistikat në qendrën kryesore ushtarake në Kabul dhe në Shtëpinë e Bardhë ishin shtrembëruar për të dhënë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara po fitonin luftën.
Fraksion.com