AktualitetNATO/BETë fundit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvillon takimin e parë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u takua me Përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së Josep Borrell në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel të hënën (9 dhjetor 2019). Takimi u zhvillua gjatë javës së parë të detyrës së z. Borrell. “Kjo nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit NATO-BE”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

Në takimin e tyre në Londër javën e kaluar, liderët e NATO-s mirëpritën përparimin e paparë në bashkëpunimin NATO-BE, përfshirë përgjigjen ndaj krizës së refugjatëve dhe migrantëve, përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake dhe mbrojtjen kundër kërcënimeve hibride dhe kibernetike. Z. Stoltenberg gjithashtu përshëndeti punën e Aleancës me BE në luftën kundër terrorizmit dhe për të mbështetur partnerët.

Sekretari i Përgjithshëm vuri në dukje se mbrojtja më e fortë evropiane mund të kontribuojë në ndarjen më të drejtë të barrës brenda NATO-s, por theksoi nevojën për plotësim midis përpjekjeve të NATO-s dhe BE-së, dhe përfshirjes së aleatëve jo-BE. “BE nuk mund të zëvendësojë NATO-në kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Evropës,” shtoi ai.

“Javën e kaluar, liderët aleatë vendosën të iniciojnë një proces reflektimi, nën udhëheqjen time, për të forcuar më tej dimensionin politik të NATO-s. Kjo është shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, “tha Sekretari i Përgjithshëm. Ai shprehu angazhimin e tij për të siguruar që NATO dhe BE të vazhdojnë të plotësojnë njëra-tjetrën. “Gjithmonë do të gjesh një mik tek unë dhe në NATO,” shtoi ai.

 

Fraksion.com