AktualitetEkonomiTë fundit

Reforma energjetike, Balluku: Fokus mbrojtja e konsumatorit ndaj çmimeve më të larta

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se reformat në sektorin energjetik janë në hapat e fundit dhe se dialogu me biznesin është thelbësor.

Gjatë panelit të organizuar nga OSHEE, mbi aksesin e sipërmarrjeve në rrjetin e energjisë elektrike, në kushtet e një tregu të liberalizuar, Balluku deklaroi se një pjesë e biznesit kanë arritur të ulin koston e tyre deri në 55%.

“Kemi arritur sot në një pikë ku unë sot me krenari dëgjoj që ka biznese që kanë arritur të ulin deri në 55% koston e produktit, vetëm duke ofruar përmes kapaciteteve të tyre energjinë elektrike”, tha Balluku

Balluku tha se ngritëm procedura të lehtësuara për këto biznese.

Ministrja renditi edhe disa nga vendimet që janë ndërmarrë në kuadër të reformës në këtë sektor. Ndër to, ajo renditi aprovimin e bursës së energjisë elektrike, si dhe dhe  ndarjen OSHEE-së në tre kompani. “Ky proces sjell edhe liberalizmin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri”, deklaroi ajo.

Shqetësimi më i madh, sipas ministres, por edhe detyrë e qeverisë shqiptare dhe secilit ent rregullator, është ruajtja e qytetarit. Hapat, tha ajo, do të ndërmerren ashtu siç kërkohen nga partnerët, por pa harruar mbrojtjen e konsumatorit nga ekspozimi i çmimeve më të larta në treg.

“Për shkak të akseseve të gabuara apo teknologjisë së pamjaftueshme kemi patur abuzime që janë të ditura nga të gjithë ju, kanë ardhur si rrjedhojë e lidhjeve të HEC-eve të vogla në rrjetin tonë dhe unë ï kërkoj OSHEE-së të adresojë humbjet e shkaktuara. Lekët që ju kthejmë HEC-eve janë lekët e konsumatorëve shqiptar dhe kjo nuk është diçka që mund të vazhdojë pafundësisht. Kam ngritur grup pune për të parë mënyrën se si mund të zgjidhet kjo situatë. Zgjidhja mund të vijë edhe përmes teknologjisë. Ndoshta duhet të investojmë në teknologji për të pasur këtë akses nën kontroll”, deklaroi ministrja.

Ministrja tha po ashtu se një nga problematikat është edhe aksesi në rrjet i burimeve të rinovueshme.

“Aksesi në rrjet i burimeve të rinovueshme duhet të jetë plotësisht i garantuar, ndaj kërkoj angazhim të të gjithë strukturave që t’a garantojnë këtë“, deklaroi ajo.

Ministrja vuri në dukje se po punohet për minimizimin e procedurave për të shkuar mundësisht edhe në një hap të vetëm të aksesit në rrjet.

Balluku theksoi po ashtu se duhet rishikuar Kodi i shpërndarjes dhe ai matës që përdoren nga Enti Rregullator i Energjisë, pasi janë ende të vitit 2008.

“Duhen ndryshuar e marrë masat e duhura, pasi baza ligjore është e rëndësishme dhe na krijon edhe bazën ligjore që I përgjigjet hapave të shpejtë që ne kërkojmë të zhvillohemi”, tha Balluku.

 

Fraksion.com