“Presidenti nuk është në punë dhe as në detyrë”; Meta: Jam me mision
Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur interesit të medias, lidhur me draftet e Kuvendit në rastet kur Kreu i Shtetit nuk thërret magjistratët në ceremoninë e betimit, brenda 10 ditësh sikundër parashikohet në Kushtetutë.
“Presidenti nuk është në punë dhe as në detyrë por është në mission dhe nuk provokohet nga cicmice të tilla nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti ka qenë dhe do të jetë garant i Kushetutës së Shqipërisë.
I fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në një mënyrë më të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto moment për të provokuar presidentin dhe popullin e Shqipërisë për tu marrë me çështje të tjera duhet ta ketë të qartë që presidenti e di shumë mirë detyrën e tij por është dhe i ndërgjegjshëm për misionin e tij.”, tha Meta.
Kuvendi po përgatit draftin për zhbllokimin e situatave të mundshme kur Presidenti refuzon organizimin e ceremonisë së betimit.
Po ashtu Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon.
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr.__/ 2019
“PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 96/2016, DATË 06.10.2016, “PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Në ligjin nr. 96/2016, datë 06.10.2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Në nenin 37 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në nenin 37, pika 2, pas fjalës “ceremoni publike” shtohen fjalët “përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilli organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit të magjistratëve.”.
2. Pas nenit 37, pika 2, shtohet pika 3, me përmbajtjen e mëposhtme:
“3. Nëse magjistrati nuk është thirrur për të bërë betimin, pas përfundimit të afatit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, ai betohet me shkrim sipas formulës të parashikuar në pikën 1 të këtij neni dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Këshillit konsiderohet si dita e fillimit të detyrës së magjistratit dhe përfshihet në dosjen personale të magjistratit. Në rast se magjistrati nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon.”
Neni 2
Në nenin 61 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 2, ndryshon si vijon:
“2. Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë që përzgjidhet mes juristëve të spikatur fillon në ditën e betimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit ose e shpalljes i emëruar. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon.”
2. Pas pikës 2, shtohen pikat 2/1, 2/2 dhe 2/3 me përmbajtje si më poshtë vijojnë:
“2/1. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm fillon në ditën e betimit. Ceremonia e betimit organizohet nga Kuvendi jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit ose shpalljes i emëruar. Nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk është thirrur për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Kuvendit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Kuvendit konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se Prokurori i Përgjithshëm nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”.
2/2. Mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që ngrihen në detyrë nga radhët e gjyqtarëve fillon në datën e emërimit ose shpalljes i emëruar.
2/3. Mandati i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme fillon në datën e ngritjes së tyre në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.”
Neni 3
Në nenin 130, pika 2, togfjalëshi “institucione të tjera shtetërore, organizata” zëvendësohet me togfjalëshin “institucion publik apo subjekt privat ”.
Neni 4
Neni 152 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 152
Pezullimi në rastin e procedimit disiplinor
1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit sipas nenit 124 të këtij ligji ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji, kur ka dyshim të arsyeshëm se një magjistrat ka kryer një shkelje të rëndë. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë përcakton se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, i paraqet Këshillit përkatës kërkesën e arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe për pezullimin e magjistratit, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar..
2. Këshilli pezullon magjistratin nga detyra, nëse krijon bindjen se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tij jo më vonë se 3 ditë pas paraqitjes së kërkesës.
3. Pezullimi, sipas këtij neni, zgjat deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Këshilli mbi kërkesën për procedim disiplinor, me përjashtim të rastit kur Këshilli vendos të revokojë pezullimin, sipas nenit 156 të këtij ligji.
4. Këshilli pezullon procedimin disiplinor kur cmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore duke i kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime. Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton me përparësi këto shkelje dhe i paraqet Këshillit raportin dhe dosjen e hetimit. Në këto raste, masa e pezullimit të magjistratit nga detyra vazhdon në fuqi.”
Neni 5
Neni 160 ndryshohet si më poshtë:
“Organet kompetente në periudhën kalimtare
“1. Deri në gjashtë muaj pas krijimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shkeljet disiplinore të magjistratëve, ndiqen dhe hetohen nga Këshillat, nëpërmjet njësive të përkohshme, që përbëhen nga magjistratë të komanduar sipas parashikimeve të neneve 53 -54 të këtij ligji dhe që zbatojnë për aq sa është e mundur rregullat procedurale dhe kriteret e parashikuara në Pjesën V, Kreun I, II dhe V të këtij ligji.
2. Këshillat sigurojnë përmes masave administrative, pavarësinë organizative dhe funksionale të njësive të vecanta dhe miratojnë rregulla për organizimin dhe funksionimin e tyre.
3. Pas mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni të gjitha dosjet në proces hetimi nga Këshillat, i kalojnë nën përgjegjësi zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
GRAMOZ RUÇI
Fraksion.com