Nis transferimi i migrantëve nga Vuçjaku
Në Bosnje dhe Hercegovinë nisi të martën transferimi i migrantëve nga kampi i improvizuar Vuçjak në një qendër të përkohshme pranimi, afër Sarajevës.
Nermina Qemaloviq, ministre e Shëndetësisë në Kantonin Una-Sana, ku edhe ndodhet Vuçjaku, tha se çdo gjë po shkon sipas planeve.
Kryeministri i këtij kantoni, Mustafa Ruzhniq, nuk u deklarua për media, ndërsa për nesër paralajmëroi konferencë shtypi.
Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda në kampin Vuçjak.
Kampi, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95, nuk ka as ujë, as energji elektrike, tualete apo shtretër.
Për disa muaj, atje kanë jetuar rreth 600 migrantë.
Me afrimin e dimrit, presioni për mbylljen e Vuçjakut është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar javën e kaluar se “njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin”.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7,500 migrantë – kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.
Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim./rel
Fraksion.com