Mass pret Cakajn në Berlin: Ju mbështesim për hapjen e negociatave
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, ndodhet për një vizitë zyrtare në Berlin, ku zhvilloi një takim me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.
Takimi u përqendrua në diskutime të hollësishme për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, vitin e ardhshëm.
“Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen”, tha Cakaj, duke informuar mbi këtë takim.
Gjithashtu, homologët ndanë qëndrime të njëjta lidhur me vazhdimin e reformave transformuese të Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve të paraqitura nga Bundestagu në funksion të rrugëtimit europian.
Mbështetja e Gjermanisë për zhvillimin institucional e demokratik dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë, mbetet rrënjësore.
Për sa i përket zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për përballimin e pasojave të tërmetit.
Nga ana tjetër, Maas konfirmoi gatishmërinë e tij të mëtejshme për ta ndihmuar Shqipërinë në planin e riparimit dhe rindërtimit.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Berlin, kreu i diplomacisë shqiptare mori pjesë edhe në hapjen e konferencës së nivelit të lartë që po zhvillohet nën kujdesin e ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Mass, me temë “Advokimi për të drejtat e njeriut në shekullin e 21-të”.
Fraksion.com