“Liri-Demokraci/ Ndërtimi pa leje sjell begati”; Rama banorëve në Shijak: Qiranë j’ua paguan shteti; Brenda kësaj jave përfundojnë…
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak, ku u takua me banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe u informua me gjendjen e banesave.
Kryeministri siguroi banorët se “pas përfundimit të inspektimeve brenda kësaj jave, do të merret vendimi për të ardhmen e tyre, ndërkohë që për të gjithë banorët është vënë në dispozicion fondi për marrjen me qera të një banese të përkohshme”.
“20 pallate të vjetra të kohës së komunizmit, ku edhe shtesat e hapjet e mureve të katit të parë për dyqane e për kafenera me moton “Liri-Demokraci/ Ndërtimi pa leje sjell begati!” kanë bërë dëmin e tyre, janë në kushte teknike të rënda”, tha Kryeministri.
Ai takoi grupin e inxhinjerëve nga Maqedonia e Veriut, të cilët i janë bashkuar ekspertëve shqiptarë në porcesin e vlerësimit të gjendjes së godinave.
Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana informoi kryeministrin Rama se janë 20 pallate të dëmtuara dhe çdo pallat ka minimalisht 20 familje”. “Janë rreth 400 famile të cilave u kemi ofruar edhe bonusin e qerasë. Disa e kanë zgjidhur problemin me qera, ndërsa një pjesë ende pasi nuk po gjejnë banesa”, tha ai.
Kryeministri Rama kërkoi nga banorët që të bëjnë durim dhe tha se “kjo histori nuk zgjidhet për 1 ditë”. “Ajo që bëmë me mijëra njerëz nuk i ka shkuar mendja njeriu. Kjo histori kërkon kohë nuk është çështja 1 javë apo 1 muaj, është më gjatë, ndaj merrni një shtëpi me qira sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Qiranë j’ua paguan shteti”, iu drejtua Rama banorëve.
Banorët thanë se nuk gjejnë dot shtëpi me qira për shkak të kërkesave të shumta, ndërsa Rama propozoi që bashkia të hartojë një listë me familjet që përbëhen vetë nga pensionistë, ose invalidë të cilët mund të spostohen me qira në Tiranë, pasi nuk kanë impenjime pune”.
“Deri te premten do të kemi raportin final nga inxhinjerët. Kemi mbi 500 inxhinjerë, janë shumë njerëz në terren, me ekipe shqiptarë e të huaj, por duhet durim. Po punohet ditë e natë”, tha Rama.
Fraksion.com