Lavrov do të takohet me Presidentin Trump
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të takohet të martën me Presidentin Donald Trump gjatë bisedimeve të tij në Uashington me homologun amerikan Mike Pompeo, sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Interfax që citonte një burim të ministrisë së jashtme ruse.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë sinjalizuan se kontrolli i armëve do të kryesojë rendin e ditës, së bashku me diskutimet që synojnë zbutjen e mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Moskës për Sirinë dhe Ukrainën.
Ideja për bisedime duket se ishte hedhur nga Presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar, kur ai tha se Moska dëshironte të zgjaste pa asnjë kusht deri në fund të këtij viti traktatin e ri për kontrollin e armëve bërthamore START.
Në samitin e fundit të NATO-s në Londër, Presidenti Donald Trump tha se ishte në dijeni të dëshirës së Moskës për “të arritur një marrëveshje” për kontrollin e armëve, por nuk dha hollësi. Presidenti Trump sugjeroi gjithashtu që negociatat mes SHBA dhe Rusisë të përfshinin në një të ardhme edhe Kinën, një fuqi bërthamore në rritje, por që nuk është palë e marrëveshjeve bërthamore të Luftës së Ftohtë.
Fraksion.com