AktualitetBota+Të fundit

Demokratët pritet të njoftojnë sot akuzat për Presidentin Trump

Udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të bëjnë sot të ditura akuzat ndaj Presidentit Donald Trump në një konferencë për shtyp në Kapitol.

Krerët e Komisioneve të Ligjeve, të Zbulimit, Marrëdhënieve me Jashtë, Shërbimeve Financiare si dhe të Mbikqyrjes do të marrin pjesë në seancën e informimit ku pritet të njoftojnë hapat e mëtejshëm në procesin hetimor me qëllim shkarkimin e Presidentit Trump.

Ky zhvillim vjen pasi Komisioni i Ligjeve përmbylli të hënën dëgjesat me një deklaratë të Kryetarit Jerrold Nadler, i cili tha se përpjekjet e Presidentit Trump “të bëjë hile për t’i fituar zgjedhjet” përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare.

“Mendoj se kemi arritur në disa konkluzione të përbashkëta”, u tha gazetarëve Elliot Engel, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, i cili shtoi se më shumë detaje do të zbulohen të martën.

Ligjvënësit nuk dhanë detaje të mëtejshme se sa është numri i akuzave që po hartohen, por pritet që ndër to të jenë abuzimi me pushtetin dhe pengimi i hetimeve të Kongresit.

Udhëheqësit demokratë dhe ata republikanë paraqitën këndvështrime rrënjësisht të ndryshme në favor dhe kundër ngritjes së akuzave ndaj Presidentit Trump./voa

 

Fraksion.com