AktualitetPolitikëTë fundit

1118 familje përfituan bonus qiraje; Rama dhe Veliaj vizitojnë familjen Vladi

Kryeministri Rama ishte sot në njësinë administrative nr. 7, në kryeqytet, ku vizitoi familjen e të ndjerit Cim Vladi, “futbollisti i Tironës legjendare të brezit të artë, ndarë nga jeta përpara disa vitesh”, që është sistemuar me qera në kushte të mira, pak metra larg shtëpisë së vjetër prej qerpiçi, të rrënuar nga tërmeti.

Kryeministri siguroi se “shumë shpejt zonja dhe dy fëmijët do të kthehen në oborrin e tyre, ku do të kenë shtëpinë e re me kushte optimale”.

Rama informoi familjarët se “do të bëjmë një marrëveshje me një kompani shumë të madhe turke që është e njohur në gjithë tregun botëror për shtëpi ekologjike antisizmike”.

“Shtëpitë janë super, ata i shesin në Amerikë përgjithësisht sepse atje nuk ndërtohet me mure e suva, por me beton special. Shtëpitë janë të lehta dhe nesër do të shkoj një ekip atje. Nëse do ta mbyll atë marrëveshje me ta do të bëjmë një investim shumë të shpejt, pasi shtëpitë vijnë gati, montohen dhe nuk kanë as probleme teknike as pisllëk”, tha Rama.

Për sa i takon hapësirës, Kryeministri tha se “ka disa opsione, por ne do të rrimë tek mesatarja mes 75-100 metra kator, në bazë të familjes”.

Të gjithë ata që e kanë pasur shtëpinë të dëmtuar, Kryeministri i siguroi se do të kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin”.

“Po shpresoj ta mbyllim këtë marrëveshje këtë javë. Ato montohen shpejt, janë super dhe kanë një termoizolim fantastik, kështu që edhe nga pikëpamja energjetike kursejnë energji, dhe ulin faturat. Është inovacion””, tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj informoi se dje miratuam edhe 266 qira të tjera dhe në total kemi shkuar në 1118 qira.

“Kishim edhe disa raste të tjera për ish-të përndjekurit psh. Gjithë ajo që ndodhi, u thashë edhe këtyre të shoqatave, sa bëni statuse në facebook dhe hartime, me dy rreshta, vetëm me kopjen e kartës së identitetit ne i kaluam. Kështu që në momentin që lanë hartimet në facebook dhe u fokusuan ta zgjidhin problemin, u zgjidh për 2 minuta”, tha Veliaj.

Ai informoi se këshilli bashkiak do të mblidhet sërish për rastin e Kodër Kamzës. “Do të prishen të dhjeta konvikte, edhe te të zaptuarit edhe dy konviktet e vjetra. Janë konvikte që janë bërë me punë vullnetare. Aty po i prishim të dhjeta sipas vlerësimit të Institutit të Ndërtimit”, tha Veliaj.

Kryeministri tha se “historia e Ajtanga Lubonjës është një histori tipike e shfrytëzimit të një situate për t’u dukur”. “Ne kur i prishëm i kishim gati qiratë, por këta të pseudo humanizmave duan halle t’i nxjerrin në televizor, nuk duan zgjidhje, zgjidhjet i lënë pa punë”, tha Rama.

 

Fraksion.com