AktualitetPolitikëTë fundit

“E ngremë Shqipërinë në këmbë”; Rama publikon fjalimin e Erdogan: Të ndihmojmë vëllezërit tanë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan apeloi sot për mbështetje ndaj Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë mbi investimet publike e private.

Kryeministri  Rama ka publikuar në “Facebook” një video, ku shfaqet presidenti turk Erdogan në një fjalim, duke u shprehur se Turqia do të bëjë aq sa të mundet për të ndihmuar Shqipërinë pas pasojave të tërmetit.

Erdogan u shpreh se, “në këtë tërmet kanë humbur jetën mbi 50 persona dhe janë plagosur rreth 1000 veta. Me këtë rast i shpreh edhe njëherë ngushëllimet familjeve të të gjithë atyre që kanë humbur jetën dhe uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.

Ai theksoi se, “që nga momenti i parë që ndodhi fatkeqësia e tërmetit, kam qenë në kontakt të ngushtë me mikun tim, zotin Rama. Kanë shkuar ekipet e kërkim-shpëtimit të Afadit, ekipet e Gjysmë Hënës së Kuqe, të gjitha ekipet shëndetësore, kombëtare, të gjitha OJQ-të shkuan në Shqipëri dhe filluan të punojnë në terren”.

Ertdogan u shpreh se i ka dhënë urdhër Ministrisë së Mjedisit të dërgojë ekspertë të përshtatshëm për të ndërtuar 500 njësi banimi në Shqipëri.

“Ata kanë shkuar në Shqipëri, po shohin për vendet e përshtatshme ku mund të ndërtohen këto 500 banesa”, tha ai.

Erdogan u shpreh se nëse të gjithë vendet e Konferencës Islamike nëse bëhen bashkë e ngrenë Shqipërinë në këmbë.

“Të nderuar vëllezër, pse po i theksoj këto gjëra? Konferenca Islamike ka 50 anëtarë. Ne, po të kapemi dorë për dore, po të bashkojmë fuqitë, nuk ka rëndësi sasia, shumë apo pak, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë. Kuptohet që dëshirat janë të mira, por dëshirat po të mbeten vetëm fjalë fluturojnë. Mjalti po nuk hyri në gojë, nuk ëmbëlsohet goja. Ky mjaltë duhet ngrënë, ose ta ndajmë edhe me vëllezërit tanë këtë mjaltë. Ne këtë duhet të bëjmë, ta ndajmë mjaltin së bashku. Banka Islamike është ajo që do ta hedhë hapin më të rëndësishëm. Ne si Turqi po punojmë, por e dimë që nuk është mjaftueshëm. Ne do punojmë, do përpiqemi, do vazhdojmë”, tha Erdogan.

Erdogan theksoi se vetëm ai që e ka ndjerë dhimbjen e tërmetit mund ta kuptojë këtë situatë që po kalon Shqipëria.

“Zoti Kryeministër, Rama i ka dërguar letra dhe kërkesa shumë vendeve. Shpresoj të marrin përgjigje pozitive këto kërkesa, sepse ne e kemi ndjerë dhimbjen e këtij tërmeti vite më parë në Turqi, në tërmetin e Dysçes, në tërmetin e Izmirit, në tërmetin e Sakarias. Kemi pasur eksperienca shumë të këqija me tërmetet, në tërmetin e Vanit, në tërmetin e Bingolit. E dimë se ç’do të thotë të vuash dhimbjet e tërmetit. Siç tha edhe Nastradini kur ra nga fiku, mos më sillni doktor, më sillni atë që ka rënë nga fiku, se ai e kupton hallin tim”, tha Erdogan.

Pra, nënvizoi ai, “jo vetëm me fjalë të bukura. Shkoni vendosni një tullë në murin e Shqipërisë, në ndihmë të Shqipërisë. Tërmeti është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një populli. Ndaj është një detyrë njerëzore të ndodhemi pranë popullit shqiptar në këto ditë të vështira. Ju bëj thirrje të bëni çdo që që keni mundësi, të jepni çdo mbështetje për të fashuar plagët e popullit vëlla shqiptar”.

Fraksion.com