AktualitetBota+Të fundit

Moska mohon përfshirjen në vrasjen e një rebeli çeçen në Berlin

Moska mohon çdo përfshirje në vrasjen e një ish-komandanti rebel çeçen në Berlin në muajin gusht. Qeveria ruse të mërkurën dënoi vendimin e Gjermanisë për dëbimin e dy diplomatëve rusë lidhur me rastin. Gjermania ka akuzuar Rusinë për dështimin për të ndihmuar me hetimet. Korrespondentja Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës njofton se sulmi ndaj kryengritësit çeçen në Gjermani është krahasuar me tentativën për vrasjen e një ish-spiuni rus në Britani vitin e kaluar.

Prokurorët gjermanë thanë të mërkurën se kanë mbledhur prova të mjaftueshme që tregojnë se vrasja e Zelimkhan Khangoshvili, një qytetar gjeorgjian dhe një çeçen etnik, u krye në emër të agjencive shtetërore të Federatës Ruse. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë tha se krimi mund të ketë pasoja serioze.

“Në rastin e një krimi të kësaj rëndësie dhe me këtë sfond, unë vetëm mund të falënderoj prokurorin e përgjithshëm që e kanë marrë atë përsipër. Kjo në vetvete thotë diçka për domethënien e këtij krimi, përfshirë sfondin politik. Qeveria ende po shqyrton pasojat e mundshme të mëtejshme që mund të ndërmarrë”, tha Horst Seehofer, ministri i Brendshëm gjerman.

Zëdhënësi i qeverisë ruse, Dmitry Peskov, tha se qeveria e tij nuk ka asnjë informacion në lidhje me vrasjen.

Khangoshvili, një 40-vjeçar ish-komandant rebel i çeçenëve, u qëllua në kokë nga pas në një park të Berlinit në gusht. Një i dyshuar u arrestua menjëherë pas ngjarjes, por ka dhënë pak informacion në polici.

Çështja është bërë shkak për paralelizma me helmimin e ish-agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij në Britani. Të dy ata mbijetuan, por dy shtetas britanikë u helmuan aksidentalisht dhe një prej tyre vdiq. Rusia mohoi çdo përfshirje në helmim.

“Kjo i ngjan situatës së çështjes së Skripalëve. Është një logjikë plotësisht e shtrembër që për fat të keq nuk ka asnjë lidhje”, thotë Leonid Slutsky, kryetar I komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dumën ruse.

Sulmi i turpshëm në tokën britanike çoi në ftohjen e marrëdhënieve Londër-Moskë. Por disa analistë thonë se kjo nuk do të ndodhë me Gjermaninë.

“Kam përshtypjen se ky rast nuk do të prishë marrëdhëniet gjermano-ruse, në mënyrën se si ndodhën gjërat mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë”, thotë Dmitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie në Moskë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se planifikon të diskutojë çështjen me Presidentin rus Vladimir Putin në një samit në Paris javën e ardhshme.

“Do t’ju them nëse bisedojmë dhe çfarë do të themi. Ne e morëm këtë masë, siç e dini nga njoftimi ynë, sepse nuk kemi parë që Rusia të na mbështesë në sqarimin e vrasjes”.

Liderët gjermanë, francezë, rusë dhe ukrainas do të takohen të hënën në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në Lindje të Ukrainës.

 

Fraksion.com