Kur Rama të merr edhe Luljetën
Nga Dritan Hila
Kur ra tërmeti në shtator, kryeministri i shqiptarëve ishte i lodhur. Nuk pati fuqi të bindte njerëzit për rrezikun ku gjendeshin dhe masat ndaj tij.
Njerëzit ishin gati t’i besonin çdo sharlatani, vetëm atij jo. Por ja ku zbuluan profesionistët dhe ylli i tyre ishte Luljeta Bozo.
Erdhi nëntori dhe tërmeti ishte akoma më i fortë. Dhe njerëzit rishtas iu drejtuan mendimeve të Bozos. Pavarësisht sulmeve sekondare të tipit Kopliku, askush nuk ishte në gjendje ta sfumonte staturën e saj në sytë e shqiptarëve.
Duhet ta kuptonte edhe Basha këtë, aq me tepër që i relaksuar në vilat e Papulit, nuk do jetë trembur aq shumë nga tërmeti i dytë.
Mund të shkonte në shtëpinë e saj, ta falënderonte për kurajën që i kishte dhënë shqiptarëve në ditë të vështira dhe që kishte qenë një kryeministre shpirtërore e tyre. Por nuk e bëri. Fare. Madje nuk po bën as atë qe duhet ta bënte çdo opozite normale: Të botonte emrat e ndërtuesve qe ju kishin kolapsuar ndërtesat dhe të ushtronte presion mbi ekzekutivin që të merreshin masa ndaj tyre.
As këtë nuk e bëri, por po vjen vërdallë fshatrave të Krujës. Dhe kjo do të thotë që ose nuhatja politike i mungon, ose po pret që dikush ta paguajë për heshtjen e tij.
Ndërkohë Rama jo vetëm që u mbrojt por kundërsulmoi. Kërcënoi me mbyllje portalet duke intimiduar disa prej tyre. Kërcënoi ndërtuesit se do merrte masa ndaj tyre nëse nuk riparonin ndërtesat. Një sulm ky sa për tymuese pasi prokuroria e gjumë dhe provat po prishen. Dako ndërkohë është ne bashki.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, nga mëngjesi në darkë, Rama ka qenë ylli i televizioneve: Në shtëpi apo stalla të prishura; në vaki e në lindje; diku duke qarë e diku duke qeshur e bërë batuta; diku me fshatarë pa dhëmbë e diku me hoxhallarë. Dhe në fund qershia mbi tortë, takon edhe profesoreshë Luljetën, duke përvetësuar një aset siç është imazhi i saj.
Ndërkohë kundërshtarët e Ramës kanë kaluar në dëshpërim. Ata me idiotët e kritikojnë pse rri gjithë kohen ne ekran. Ndërsa të tjerët qe kanë humbur toruan, e akuzojnë pse nuk mori parasysh këshillat e Metës. I cili ndërkohë dekoron qentë.
Rama ka përpara një dimër të vështirë për sistemimin e të prekurve. Përpara ka një pune e cila mund të jetë ose sipërmarrja e tij e suksesshme ose një dështim, por me siguri një thes parash ku do fusin duart të gjithë. Ne do asistojmë ne inaugurime shtëpish por ndërkohë oligarkë e sipërmarrës do ngopen prej tij me kontrata ndërtimi, duke bërë që mbështetësit e Bashës të jenë akoma më të paktë.
E ndërkohë zgjedhjet po vijnë dhe ne shohim se ashtu si mbreti lashtësisë Mida që ishte dënuar që çfarëdo qe prekte e kthente në ori, Rama ka tre vjet qe çdo fatkeqësi e kthen ne fitore. Ndërsa opozita ose është një budallaqe e pashoq, ose është e paguar që të shesë ndeshjen dhe topat e artë qe ia sjell fati, t’i degdisë jashtë stadiumit./javanews
Fraksion.com