Franca dëshiron të organizojë konferencën e donatorëve
Burime nga qeveria shqiptare i thanë sot Deutsche Welles se ende nuk është caktuar se ku do të zhvillohet konferenca.
Qeveria shqiptare ende nuk i është përgjigjur këtij propozimi. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti konferencën e madhe të donatorëve, të propozuar dje nga kryetarja e komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, “sukses të madh” dhe se ajo krijon mundësinë “për qasje shtet me shtet”:
“Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses, po të doni vendoseni edhe në thonjëza, sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë dhe është një instrument ekstra mbi gjithë instrumentet e tjerë të financimit, me një potencial financimi të konsiderueshëm”, tha Rama.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës para tërmetit ishin të tensionuara për shkak të vetos së Francës në Këshillin e BE-së kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, pas tërmetit, dy vendet u afruan sidomos pasi presidenti francez dërgoi një skuadër shpëtimi në Shqipëri. Në Watford, Macron përsëriti arsyetimin për vendimin e tij se nuk ishin përmbushur kushtet për negociatat e pranimit. Por kritikoi gjithashtu edhe procedurën e zgjerimit të BE-së, e cila, sipas Macron është shumë konfuze dhe burokratike.
Të mërkurën, Komisioni i BE-së njoftoi se ka vënë në dispozicion 15 milionë euro për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të përballojë nevojat emergjente të shkaktuara nga tërmeti. Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu se do të organizojë edhe një konferencë donatorësh.
Siç i konfirmoi sot qeveria shqiptare Deutsche Welles, aktualisht janë rreth 12 mijë njerëz të strehuar në çadra dhe hotele. Tërmeti 6.4 ballësh ishte më shkatërruesi në Shqipëri prej disa dekadash. Dëmi i shkaktuar mendohet të krkojë deri në një miliardë Euro për rikuperim.
Fraksion.com