Përballimi i tërmeteve; Profesoresha japoneze Kubota sjell ekspertizën nga Japonia
Veliaj: “Përvojë japoneze në përballimin e emergjencave me tërmetet; të jemi të përgatitur për të ardhmen”
Krahas ndihmës në ushqime, veshje e strehim, pas tërmetit Shqipëria ka nevojë për t’u njohur me eksperiencat më të mira botërore në përballimin e emergjencave të tilla civile. Përvoja më e mirë në këtë drejtim na vjen nga Japonia, një nga vendet që përballet shpesh me luhatje të forta sizmike të tokës. Për këtë qëllim, ka mbërritur në Tiranë profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyos, e cila u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ajo do të zhvillojë sot disa takime me grupet e emergjencës nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Veliaj falenderoi profesoreshën japoneze për gatishmërinë për të sjellë eksperiencën e saj në vendin tonë, ndërsa theksoi se më shumë sesa ndihma në bazë materiale apo vlera monetare, rëndësi ka ndihma në dije, në mënyrë që të jemi të përgatitur në përballimin e situatave të tilla. “Më e rëndësishme, përveç ndihmave të emergjencës, është dija, të pasurit njohuri dhe informacion sesi mund të mësojmë nga një vend, i cili ka kaluar tragjedi e fatkeqësi të tilla dhe nuk i ka harruar, por ka mësuar prej tyre dhe është ngritur më i fortë dhe më i përgatitur. Japonia është ekzatësisht ky vend. Ndaj, jam shumë i lumtur që një nga zërat dhe mendjet më të ndritura sot në botë, doktoreshë Kubota, është në Tiranë që të fillojmë të shkëmbejmë dije dhe informacion sesi të përgatitemi”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ai theksoi se përvoja japoneze në përballimin e emergjencave që shkaktojnë tërmetet do jetë një ndihmë e vyer për të gjitha ekipet e emergjencave civile të vendeve më të prekura nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit, por theksoi se është e nevojshme që nga kjo eksperiencë të përfitojnë edhe bashkitë e tjera të vendit. “Mezi pres që ditën e premte të kemi një ëorkshop në Tiranë, ku të gjitha stafet e emergjencave dhe të urbanistikës së bashkive tona – Tiranë, Durrës, Krujë – pra, qarqeve të prekura, por pse jo, edhe nga qarqet e tjera, të vijnë në Tiranë të premten dhe të kemi mundësi të dëgjojmë nga eksperienca japoneze dhe të fillojmë përgatitjet”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, ai theksoi se është rëndësishme të përvetësohet edhe literatura apo studimet japoneze që kanë të bëjnë me tërmetet dhe përballimin e situatave të emergjencave. “Jam shumë i interesuar që ne të përkthejmë disa nga librat, manualet e mësimeve që janë nxjerrë nga eksperienca japoneze, t’i bëjmë pjesë të detyrueshme të punës për këdo që punon në emergjencat civile, në planifikimin për inxhinierë, qofshin publikë, qofshin privatë. Mësimi që na vjen nga Japonia, ku çdo krizë është gjithashtu edhe një mundësi, një shans për t’i bërë gjërat më mirë dhe për të mësuar nga eksperiencat e kaluara, besoj se është diçka që na intereson jashtë mase”, tha Veliaj.
Doktoreshë Aya Kubota theksoi se shkëmbimi i eksperiencës japoneze do t’i shërbejë Shqipërisë, që të jetë e përgatitur për të përballuar situata të tilla. “Japonia ka shumë eksperiencë me katastrofat dhe ne mund të kontribuojmë në zonat e prekura. Të premten, në 6 dhjetor, në Tiranë, do të kemi një simpozium akademik me profesionistë nga kryeqyteti dhe profesionistë lokalë. Ne, nënkuptoj skuadrën japoneze, do të kemi disa prezantime dhe unë shpresoj se një mundësi e tillë është një lloj hapi për një plan afatgjatë. Nëse mund ta ndajmë këtë mundësi sa më shumë që të jetë e mundur do të isha shumë mirënjohëse”, tha profesoresha Kubota.
Ndërkaq, Veliaj shprehu interesin që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë dhe me shkëmbime eksperiencash konkrete. “Nuk e fsheh që kemi interes të jashtëzakonshëm për të pasur një bashkëpunim afatgjatë, pra përtej këtij hapi të parë që hedhim të premten, ku ekspertët japonezë dhe ekspertët shqiptarë të kenë mundësi të shkëmbejnë, të shohin projekte të veçanta sesi janë bërë këto ndërhyrje, dhe ashtu si Japonia, edhe ne të dalim më të fortë, jo si viktima, por si fitimtarë. Të dalim më të fortë edhe më të përgatitur për të ardhmen”, shtoi ai.
Duke iu referuar situatës në terren, kreu i bashkisë së Tiranës theksoi se ndërtimet e bëra me punë vullnetare gjatë kohës së komunizmit janë ndërtimet që kanë shfaqur më shumë probleme, ndërsa theksoi se shumica dërrmuese e ndërtimeve të pas ‘90 kaluan një test shumë të rëndësishëm të rezistencës së tyre.
“Shtëpitë ose pallatet në Tiranë, që u ndërtuan me punë vullnetare, me parafabrikate, me tullat silikate, me mësues dhe infermierë që ndërtonin shtëpitë e tyre sikur të ishin muratorë, nuk i qëndruan testit të kohës. Në këto zona ku u prek Tirana, nuk ishin ndërtimet e viteve të fundit, por ishin ndërtimet e fundit të komunizmit, ku materialet e varfra, me njohuri të varfra për ndërtimtarinë, na shkaktuan atë fatkeqësi. E gjithë kjo njohuri, si të dhënat që mbledhim nga terreni, por edhe mësimet që na vijnë nga Japonia, janë pasuria më e madhe për të rregulluar punët tona për të ardhmen, që mund të dalim nga gjithë kjo tragjedi e pashembullt”, tha ai, teksa falenderoi ambasadën japoneze në Tiranë për ndihmat që ka sjellë për të prekurit nga tërmeti.
Fraksion.com