“SHBA-BE nuk do të lejojnë asnjë pazar”; Ngjela: Presidenti ka hyrë në listën e zezë
Avokat Spartak Ngjela e ka bërë dje të qartë se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta të ketë pazare. Dje komisioni hetimor shtyu dhe me 4 muaj afatet dhe pati akuza nga opozita se po bëhen pazare në prapaskenë. Por për avokatin në mes janë ndërkombëtarët dhe ata nuk do të lejojnë asnjë pakt mes qeverisë dhe presidentit.
Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela shtoi se Meta ka hyrë në listën e zezë të ndërkombëtarëve, duke theksuar se SHBA është në mbështetje të integrimit të vendit drejt BE. “Fakti që mazhoranca i ka shtuar edhe një akuzë tjetër presidentit nuk mendohet se mund të ketë pazar. Afati do të shtyhet domosdoshmërish sepse do të hetohet shkelja e re. Ajo kërkon një kohë që duhet të merret juridikisht komisioni hetimor. Pjesa e dytë për të pasur një pazar mes njërit dhe tjetrit, ekziston si mundësi. Tek dëmet e mëdha që janë bërë sidomos në Durrës, Meta është i implikuar me klientët e tij, por edhe Rama është i implikuar me klientët e vet për lejet e ndërtimit. Nëse këto mundësi vijnë dhe konvergojnë në një pikë atje fillon pazari. Nëse këto mundësi nuk konvergojnë në një pikë, atëherë do të vazhdojë akuza. Por ndërkombëtarët nuk mund t’ia falin Metës shkeljet e mëdha që ka bërë këtu. Jemi nën mbikëqyrjen e Perëndimit dhe politika amerikane është një mbështetëse e madhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. SHBA kërkon që vendi të plotësojë kushtet e vendosura nga BE”, u shpreh Ngjela.
Hetimet
Më tej, avokati deklaroi se shkeljet kushtetuese të Metës çojnë vendin drejt destabilizimit, duke shtuar se veprimet e tij vijnë nga frika e SPAK dhe sipas tij, jo nga ndonjë humbje ekuilibri mendor. Në reagimin e tij, Ngjela tha se ndërkombëtarët e kanë vulosur fatin e Metës dhe ai nuk mund të jetë më në postin e presidentit. “Fakti që këto kushte nuk janë plotësuar ne kemi ngelur këtu ku jemi. Edhe në këtë rast ka ndodhur diçka, është një gjendje e rëndë e cila është pasojë korruptive. Pra nëse do të ketë pazare ose jo ka të bëjë me hetimin. Nëse hetimi ecën drejt asgjësimit të provave siç po ndodh tani gjithçka mund të ndodhë. Ndërkombëtarët e kanë vendosur ta shkarkojnë sepse ka bërë shkelje të rënda dhe ka sulmuar ambasadorët. Nuk është humbje ekuilibri nga ndonjë sëmundje, por është humbje e ekuilibrit nga frika, por ka cenuar shumë edhe autoritetin e shtetit shqiptar. Nuk është ambasadori kur godet, por politika amerikane, por Meta këto i ka vënë për konsum të brendshëm dhe mendon se mund t’i trembë ata. Të gjitha këto mblidhen dhe konvergojnë në një pikë dhe del që Meta ka bërë dy shkelje të rënda të cilat të çonin drejt destabilizimit të Shqipërisë. Ai nuk mund të rrijë më president dhe ky është vendim ndërkombëtar”, u shpreh avokat Spartak Ngjela, në reagimin e tij për gazetën “SOT”.
Më tej, avokati deklaroi se SPAK do të nisë punën shumë shpejt dhe Meta nuk mund të bllokojëngritjen e këtij institucioni.
Sipas Ngjelës, nëse Meta refuzon që të bëjnë betimin, ata mund të betohen edhe në një noter dhe këtë të drejtë ia jep Kushtetuta. “Meta nuk ma ha mendja të bëjë këtë budallëk sepse e ka një plus në rëndesën e tij. Por SPAK do e fillojëpunën dhe betimi nuk është fare me rëndësi sepse mund ta bëjë edhe në një noter”, tha Ngjela.
Fraksion.com