Shahini: Në Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Vorë mësimi rinis në 9 dhjetor, nesër në Lezhë, Mirditë e Shënkoll
Në një konferencë për mediet, ministrja Shahini u shpreh se është vendosur që mësimi të nisë më datën 9 dhjetor, ditën e hënë, dhe se Dita e Rinisë nuk do bëhet pushim, kjo për të rikuperuar orët e humbura të mësimit.
“Në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës që kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pra të gjitha qarqet krahas Lezhës, Durrësit dhe Tiranës, mësimi ka filluar normalisht me 2 dhjetor ndërsa për 3 qarqet që kemi pezulluar mësimin nga nesër do të fillojë mësimi pjesërisht në këto bashki.
Qarku Lezhë mësimi fillon normalisht në të gjitha shkollat e bashkisë Mirditë, nesër me 5 dhjetor. Mësimi fillon normalisht nesër ne Lezhë me 5 dhjetor. Është një shkollë e dëmtuar në Lezhë, shkolla e “Shën Kollit” kemi marrë të gjitha masat për zhvendosjet e nxënësve dhe që nesër do të jenë të zhvendosur në shkollë tjetër.
Bashkia Kurban ka një numër më të madh të shkollave të dëmtuara ndaj mësimi në bashkinë Kurbin fillon me datë 9 dhjetor. Do ti japim më shumë kohë bashkisë që të bëjë riparimet e nevojshme dhe të mund të fillojë mësimi normalisht me datë 9 dhjetor.
Qarku Tiranë, bashkia Rrogozhinë ka raportuar dy shkolla të vogla me probleme të cilat janë sistemuar në shkolla pritëse. Mësimi në bashkinë Rrogozhinë fillon nesër me datë 5 dhjetor.
Bashkia Kamëz ka një shkollë të raportuar të dëmtuar, është shkolla “Sulejman Elezi” me 170 nxënës transferohet prapë në një shkollë urbane, në një shkollë të afërt “Azem Hajdari” në turnin e dytë dhe nuk ka nevoje për transport, por janë marrë të gjitha masat që nxënësit të transferohen pasdite. Kështu që edhe në bashkinë Kamëz, mësimi fillon nesër me 5 dhjetor.
Bashkia Kavajë ka dy shkolla të dëmtuara të cilave iu është siguruar transporti në një shkollë pritëse por përveç kësaj mësimi fillon normalisht me 5 dhjetor.
Bashkia Vorë ka një shkollë të dëmtuar seriozisht, shkolla në Marikaj, nxënësit e së cilës do të transferohen ne Marqinet. Jam siguruar që plani i transferimit për të gjithë nxënësit dhe kam qënë vetë atje. Bashkia Vorë do të fillojë mësimin me 9 dhjetor duke qenë se ka nevojë për më shumë riparime në shkolla.
Bashkia Tiranë përveç fshatit Pezë që shkolla ka dalë komplet jashtë funksionit, nuk ka shkolla të tjera që kanë dëme për t’i nxjerrë komplet jashtë funksionit por ka mjaftueshëm shkolla me dëme mesatare që nuk mund të rihapen nesër. Kështu që në bashkinë Tiranë mësimi fillon në 9 dhjetor”, tha Shahini.
Fraksion.com