AktualitetPolitikëTë fundit

Reagimi i ndërtuesve pas paralajmërimit të Kryeministrit

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama që kompanitë të cilat kanë ndërtuar pallate, të cilat kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, por jo në strukturë, duhet t’i riparojnë vetë dëmet, janë 18 kompani në Durrës të cilat janë gati që nesër të fillojnë riparimin e pallateve.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja në një prononcim për ATSH-në theksoi se, “kemi një reagim të menjëhershëm pozitiv. Dje ishin 14 sot janë bërë 18 subjekte, të cilat kanë patjetër informacion paraprak që ndërtesat e tyre janë të restaurueshme dhe si të tilla mund të kryhet për të bërë të mundur që të bëhen të banueshme menjëherë të fillojë ndërhyrja mundësisht që nesër”.

Për këtë arsye, theksoi ai, “Instituti i Ndërtimit së bashku me bashkinë dhe me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) ka marrë masa që projektet e paraqitura prej tyre për rehabilitim të godinave të hidhen menjëherë në sistem të dali leja zhvillimore, leja e ndërtimit të miratuara nga bashkia dhe menjëherë të fillojnë punimet”.

“Gjërat do të jenë ligjore pasi duhet patjetër të verifikojmë edhe projektet nëse i plotësojnë kushtet dhe standardet për produktin që ato do të japin”, tha Bejtja.

Ai e vlerësoi këtë si “një thirrje pozitive”, pasi shtoi Bejtja, “flasim për konstruktorë që nuk janë paraqitur për të rregulluar ndonjë shtëpi private, por banesa kolektive”.

Dhe, theksoi Bejtja, “nëse janë 18 të tillë do të thoja që ne mund ta shfryjmë shumë kërkesën e banorëve për tu sistemuar me një numër mbi 700-800 apartamente menjëherë. Bëhet fjalë pa ardhur i ftohti i mëtejshëm i dhjetorit dhe njerëzit fillojnë jetën normalisht jo më nëpër hotele apo strehime të përkohshme”.

Bejtja sqaroi se, “për këto të 18 kompani, nga ana e tyre, janë të konstatuara që 18 apo 20 pallate janë të restaurueshme. Pra nuk po flasim për ndërtim nga e para, por për rindërtim. Po flasim  për riparim të dëmtimeve të lehta ose ndërhyrje me restaurim aty ku ato janë të mundshme. Një faqe muri e prishur pa dëmtime në strukturë dhe menjëherë të bëhen të banueshme për qytetarët”./ata

 

Fraaksion.com