Fati; E ardhmja nuk është kurrë e shkruar
A jemi me të vërtetë krijues të fatit tonë apo thjesht kemi iluzionin që e përcaktojmë ne kursin e ngjarjeve? Sipas shkencës, kemi një numër të pafundëm jetësh të mundshme para nesh dhe varet nga ne që të zgjedhim një prej tyre
A është jeta jonë e shkruar tashmë plotësisht, apo e ardhmja varet nga ne?
Që nga fillimet e qytetërimit, njeriu ka filluar të shtrojë vetë këtë pyetje, duke kërkuar përgjigje në fe, në filozofi, në shkencë. Në Romën e lashtë kjo forcë e errët quhej fatum, ose “ajo që është e thënë” dhe fillimisht tregonte vendimin e pakthyeshëm të një perëndie, të cilit askush nuk mund t’i shpëtonte. Në disa legjenda, Fati konsiderohej një hyjni në vetvete dhe ekzaktësisht djali kapriçioz i Kaosit, i imagjinuar si i verbër duke qenë se ndërhynte për të ndryshuar rrjedhën e jetës së njerëzve, pa ndonjë arsye të saktë.
Asgjë nuk mund të ndryshonte “dekretet” e tij. Në mitologjinë Greke, nga ana tjetër, fati i pashmangshëm shpesh identifikohej me Moiret, tre vajzat e Zeusit dhe Temave të quajtura Cloto, Lachesis dhe Atropos. Të ripagëzuara Parche nga Romakët, ato shfaqeshin si gra të moshuara që jetonin në mbretërinë e nëntokës, detyra e tyre ishte të endnin fijen e jetës së çdo njeriu, ta zhvillonin atë dhe, në fund, ta prisnin atë, duke shënuar vdekjen e njeriut. Sot, këto figura të frikshme dhe tërheqëse janë zëvendësuar nga mendimi racional i shkencës, eksponentët më të shquar të së cilës kanë arritur, ndër shekuj, në përfundime diametralisht të kundërta mbi vetë konceptin e fatit.
Një orë e përsosur kozmike
Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, fizikani dhe matematikani anglez Isak Njuton mendonte se kozmosi ishte një mekanizëm i përsosur, një lloj ore e madhe kozmike që Zoti kishte karikuar qysh në fillimin e kohërave: do të vazhdonte me tik-takun e saj përgjithmonë në përputhje të përsosur me tre ligjet e lëvizjes së trupave, të formuluar prej tij. Sipas kësaj teorie, e njohur si determinizmi i Njutonit, të tre ligjet përcaktojnë jo vetëm lëvizjen e saktë të yjeve dhe planeteve, por edhe atë të secilës grimcë të universit. Një nga figurat pothuajse bashkëkohëse të tij, matematikani dhe astronomi francez Pierre Simon de Laplace, shkoi më tej duke besuar se çdo ngjarje e ardhshme, nga shfaqja e një komete në qiell, deri në më të parëndësishmet e veprimeve njerëzore, mund të llogariten paraprakisht nëse do të ekzistonte qoftë edhe një mendje, e cila do të ishte në gjendje të dinte lëvizjen fillestare të të gjitha atomeve, nga fillimi i kohës.
Sepse gjithçka është përcaktuar tashmë, që nga ai moment. Krejt të kundërt ishin konkluzionet e fizikantit gjerman Verner Karl Heisenberg, të cilit i detyrohemi zbulimin se, në nivelin nën-atomik lënda sillet në një mënyrë shumë të ndryshme nga ajo e menduar prej Njutonit dhe Laplace. Me parimin e tij të pasigurisë, të formuluar në vitin 1927 si një nga gurthemelet e mekanikës kuantike, Heisenberg tregoi se nuk mund të dihet njëkohësisht shpejtësia dhe pozicioni i një grimce, sado të ndjeshme të jenë instrumentet matëse: pra jemi në gjendje të njohim njërën ose tjetrën e dy gjendjeve, por jo të dyja në të njëjtën kohë.
Me këtë parim shkenca nuk është në gjendje të arrijë një njohje të plotë të realitetit. Në fakt, fakti që nuk është e mundur të përcaktohen të gjitha variablat e një sistemi fizik në çfarëdo mënyre, do të thotë që nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht evolucioni i ardhshëm. Ne jemi vetvetja, çast pas çasti, duke krijuar dhe formuar realitetin që do të jetojmë. Pra, si është e mundur që ajo që do të ndodhë në të ardhmen është e shkruar tashmë?
Fatet e mundshme janë të pafundme
Për më tepër, një nga pasojat e parimit të pasigurisë është se universi në të cilin jetojmë nuk është i vetmi ekzistues, por është vetëm një nga universet e pafundme të mundshme. Kjo do të thotë se diku, në dimensione që ne nuk mund t’i perceptojmë, ka kopje të pafundme të vetes sonë, me zgjedhje jete që mund të jenë të ngjashme me tonat, paksa të ndryshme apo edhe krejtësisht të ndryshme. Kush prej nesh nuk ka pyetur veten, të paktën një herë: çfarë do të ndodhte sikur të kisha marrë aeroplan në vend të trenit? Po sikur të ndaloja në zyrë, në vend që të shkoja menjëherë në shtëpi? Nëse nuk do të kisha humbur çelësat e shtëpisë? A do të kishte ndodhur diçka themelore për jetën time, apo asgjë nuk do të kishte ndryshuar? Një përgjigje, me implikime shqetësuese, janë përpjekur ta japin filma si “Sliding doors”, ku fati i protagonistes Guyneth Paltrou është i lidhur me mundësinë e marrjes apo jo të metrosë, apo “The family man” me Nicolas Cage, në rolin e një burri që zbulon se si mund të kishte qenë jeta e tij, nëse do të kishte marrë një vendim të ndryshëm 13 vjet më herët. Sipas teorisë së shumë universeve, çdo vendim do të përfaqësonte një botë më vete, me degëzime potenciale të pafundme.
Trashëgimia e ADN-së
“Ne kemi besuar se fati i njeriut ishte shkruar në yje. Tani e dimë se, në një masë të madhe, është shkruar në gjenet tona”, kishte deklaruar në vitin 1989 biologu britanik James Uatson, fituesi i çmimit Nobel së bashku me Francis Crick, për zbulimin e strukturës prej helike të dyfishtë të ADN-së. Në fakt, sot testet gjenetike paraqesin një revolucion të vërtetë dhe i hapin rrugën mjekësisë parashikuese e cila, nga analiza e simptomave, kalon në studimin e rrezikut biologjik, për të parandaluar që një sëmundje e caktuar të shfaqet vetë. Eshtë ky rasti i mutacionit të gjenit Brca, i cili tregon një predispozitë ndaj kancerit të gjirit dhe ka bërë që aktorja Angelina Jolie t’i nënshtrohet mastektomisë parandaluese. Sidoqoftë, shumë nga informacionet që marrim nga analiza e ADN-së nuk zbulojnë një të dhënë të caktuar, por përkundrazi një predispozicion për të zhvilluar një patologji të caktuar, në një të ardhme të pacaktuar.
Të destinuar të jemi jobesnikë?
Me sa duket po, nëse gjykon nga ato që thonë shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut, të udhëhequr nga profesori Justin Garcia: tradhëtia e partnerit mund të jetë një prirje e shkruar që nga lindja, në ADN. Faji do të ishte një variant i gjenit Drd4, i cili shërben për kontrollin e dopaminës, një neurotransmetues i prodhuar nga truri që luan një rol të rëndësishëm në mekanizmat e kujtesës dhe mësimit. Ky variant do të përfshinte një qëndrim më të pazakonteë, të aftë për të ndikuar në aktivitetin seksual të njerëzve duke e bërë besnikërinë “gjenetikisht të pamundur”. Kjo tezë do të konfirmohej nga një studim tjetër i kryer nga Instituti Karolinska i Stokholmit, i cili përcaktoi praninë, tek të ashtuquajturit “dashnorët latinë”, të gjenit Avpria, i lidhur me prodhimin e hormonit vazopressin: ky defekt gjenetik nuk i kënaq ata kurrë me seks.
Dhe nuk është e gjitha. Studimet e fundit të koordinuara nga Sarah Robertson nga Universiteti i Adelaide, Australi, zbulojnë se zakonet e këqija, të tilla si pirja e alkoolit, pirja e duhanit dhe ngrënia e tepërt, transmetohen nga prindërit te fëmijët më shumë sesa mendohej më parë, sipas një procesi të trashëgimisë familjare të njohur si Epigenetics. “Kjo do të thotë,” thotë Robertson, “që një fëmijë nuk fillon nga e para: por ai tashmë mbart me vete trashëgiminë e jetës së prindërve të tij. Kjo mund të ndikojë edhe zhvillimin e fetusit dhe të porsalindurit”. Sipas tezës së studiuesve australianë, pra, shëndeti i fëmijës ndikohet drejtpërdrejt jo vetëm nga gjenet e prindërve, por edhe nga lloji i jetës që ata kanë bërë para lindjes së fëmijës. / Focus – Bota.al
Fraksion.com