AktualitetBota+Të fundit

Zelenskiy: Nuk dua të dukemi si lypsarë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha në një intervistë të hënën se në telefonatën e 25 korrikut me Presidentin Donald Trump ai nuk foli nga pozita “më jep, të jap”.

“Nuk bëj nga këto lloj gjërash. Nuk dua që të dukemi si lypsarë”, tha ai.

Sipas Presidentit Trump, Zelenskiy ka thënë se zoti Trump nuk bëri asgjë të keqe. Por në komentet që i dha revistës Time, Presidenti ukrainas nuk shkoi deri në atë pikë.

Udhëheqësi ukrainas i bëri komentet në prag të raundit të parë të bisedimeve të pritshme të paqes me Rusinë më 9 dhjetor në Paris.

Presidenti Zelenskiy, ish-komedian i kthyer në politikan, është në detyrë prej gati gjashtë muajsh dhe bisedat e tij me Presidentin Trump janë bërë objekt i një hetimi intensiv në SHBA.

Telefonata e 25 korrikut është në qendër të hetimit nga Dhoma e Përfaqësuesve, hetim që synon shkarkimin e presidentit.

Zoti Zelenskiy u pyet nëse ka ndonjë lidhje midis vendimit të Presidentit Trump për të mbajtur pezull ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe dy hetimeve që Presidenti i kërkoi atij të bënte. Njëri kishte lidhje me një ndërhyrje të mundshme të Ukrainës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, tjetri ishte për familjen e rivalit demokrat, Joe Biden.

“Unë anjëherë nuk kam biseduar me presidentin nga pozita ‘më jep, të jap’,” tha Zelenskiy. “Por ju duhet të kuptoni. Jemi në luftë. Nëse jeni partneri ynë strategjik, atëherë nuk duhet të bllokoni asgjë për ne. Mendoj se është thjesht çështje ndershmërie. Nuk ka lidhje me ‘më jep, të jap’”

Presidenti Trump më vonë u tha gazetarëve se komentet e Zelenskiy-t tregojnë se “çështja është mbyllur”. Në komentet që bëri para nisjes për në samitin e NATO-s në Londër, ai e paraqiti intervistën e Zelenskiy-it në dritë të shtrembër, duke thënë se Zelensky “theksoi mjaft fuqishëm se Presidenti Trump nuk bëri asgjë të gabuar.”

Nga ana e tij, Presidenti Zelenskiy tha në intervistën me revistën Time se kur udhëheqës si zoti Trump e quajnë vendin e tij të korruptuar, kjo dërgon një mesazh shqetësues.

“Të gjithë e dëgjojnë këtë sinjal”, – tha ai. “Banka investimesh, palë të interesuara, kompani amerikane, evropiane, kompani që kanë kapital ndërkombëtar në Ukrainë… Është një sinjal që u thotë atyre: “Kini kujdes, mos investoni”. Ose: “Ikni nga Ukraina”.

I pyetur nëse kishte besim te Presidenti rus Vladimir Putin tani në prag të bisedimeve të paqes, ai tha: “Nuk i besoj askujt. Politika nuk është shkencë ekzakte”.

 

Fraksion.com