AktualitetPolitikëTë fundit

Shkreli: Durrësi rikthehet në normalitet, qytetarët hyjnë në banesat e çertifikuara nga ekspertët

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli deklaroi sot për ATSH se po vijon intensivisht puna për çertifikimin e godinave që janë të banueshme si dhe bizneseve për të rikthyer jetën në Durrës.

“Deri pardje, Durrësi ishte një qytet pothuajse i pabanueshëm, sidomos mbrëmjeve. Të gjitha lokalet e dyqanet ishin të mbyllura, ndërsa apartamentet të errëta, pa drita. Dje u kthye jeta në qytet. Sot është akoma më dinamike, që do të thotë, një pjesë e njerëzve, sidomos atyre që iu është çertifikuar banesa janë futur brenda. Futja e njerëzve në banesa është shoqëruar edhe me rifillimin e punës të shumë aktiviteteve e bizneseve në Durrës”, – deklaroi Shkreli për ATSH-në.

Prioritet i punës sot nga shumë grupe të kontrollit, vuri në dukje Shkreli, është kontrolli edhe i fabrikave e godinave ku zhvillohen aktivitetet e biznesit, në mënyrë që edhe njerëzit t’i rikthehen jetës normale në qendrat e punës.

Shkreli po ashtu informoi se situata është e qëndrueshme dhe se vullnetarë nga shtete të ndryshme ju janë bashkuar për të kryer çertifikimin e godinave.

“Jemi në fazën ku grupet e vlerësimit janë shpërndarë në territor. Jemi fuqizuar mjaftueshëm. Sot vijnë 30 inxhinierë nga Kosova. Zëvendësministri i Infrastrukturës së Kosovës është tashmë stacionuar tani më në Durrës. Një grup inxhinierësh nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës janë bashkangjitur grupit në mënyrë që të përshpejtojmë procesin e vlerësimit të dëmeve”, – tha Shkreli për ATSH.

Grupet, vijoi ai, janë shpërndarë jo vetën në qytet, por edhe në rrethinat e Durrësit, Lezhës e Mirditës.

Sipas Shkrelit, është intensifikuar procesi i shembjes së disa banesave që paraqesin problematikë dhe për këtë po eksportohen nga policia nga njëra anë dhe nga grupi i Institutit të Ndërtimit për të patur të dokumentuar edhe arsyet e dëmtimit që kanë pësuar.

Ka objekte, tha Shkreli, që duhet kombinuar prishja, pjesërisht me eksplozion e pjesërisht me goditje.

Po ashtu, Shkreli informoi se janë krijuar edhe grupet që po merren me shpërndarjen e inerteve.

Shumë shpejt, sipas tij, do të paraqitet edhe plani se çfarë do të bëhet me inertet e grumbulluara.

Për këtë, ai informoi se partnerët e Shqipërisë kanë shprehur solidaritetin e tyre jo vetëm përmes mbështetjes morale e financiare, por edhe me dërgimin e trupave vullnetare që do të merren me pasojat pas tërmetit.

“Presim tani grupet nga Maqedonia e Veriut, nga Rumania dhe Bullgaria. Një pjesë të këtyre grupeve do t’i dërgojmë edhe në Tiranë, sepse Tirana ka një sasi shumë të madhe për tu kontrolluar dhe nuk është e thjeshtë”,  tha ai.

 

Fraksion.com