Rama: Platforma e Bashkëqeverisjes 100% për njerëzit e prekur nga tërmeti
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se faqja e Platformës së Bashkëqeverisjes do të jetë e dedikuar 100% për njerëzit e prekur nga tërmeti që mund të kërkojnë ndihmë për problemet dhe shqetësimet që kanë.
Por si do të funksionojë www.shqiperiaqeduam.al dhe çfarë mund të kërkoni, Rama e shpjegon më poshtë.
“Duke qenë se ju jeni ekipi më i lëvduar nga populli i administratës shqiptare, gjithë ekipi i Platformës së Bashkëqeverisjes, duke qenë se keni një eksperiencë jo të vogël për të vënë në kamxhik zyrat që shërbime, duke qenë se sot kemi një problem të madh të adresimit të shqetësimeve të atyre që janë prekur nga tërmeti. Të gjithë duan përgjigje në të njëjtën kohë. Ne mendojmë se me një ndjesë drejtuar qytetarëve, të ndajmë veprimtarinë e platformës gjatë emergjencës dhe të gjithë forcat të adresohen te qytetarët. Që nga dita e sotme në platformën Shqipëriaqëduam.al, direkt qytetarët që duan informacion të shpejtë dhe përsëri si me logjikën bazë na japin mundësi të adresojmë problemin, të drejtohen këtu me një klik, që u jep mundësi të shtrojnë pyetje mbi disa zëra. ‘Kam shqetësim për banesën’ e dëmtuar dhe mjafton të lënë emrin dhe numrin e telefonit, apo nëse kanë edhe e-email. ‘
Kam nevojë për strehim’ , për ata që janë pa cati se ua ka marrë tërmeti, ‘kam nevojë për ndihmë mjekësore ose medikamente apo pako sociale’ apo për ‘ndihmë ushqimore, veshje, apo transport për në vendin e punës apo shkollë’. Këto janë zërat e vendosura këtu, kështu që cdo familje, vëlla, motër në emigracion që në kontakt me familjen ka shqetësime të caktuara që do të vijë në ndihmë apo ndeshet me këta njerëz nuk ka nevojë për të ardhur vërdallë, telefoni nga xhepi dhe klik ‘shqipëriaqëduam.al’ dhe gjithë ky ekip, që mund të konkurrojë edhe në Europë për kapacitetin për të dhënë përgjigje është në dispozicion, përgjigje në kohë reale. Do të funksionojë si fuqi mbështetëse e drejtuesit të zyrës së Emergjencës. Ka pushtetin për t’i thënë një ministri apo funksionari, këtu duhet dhënë përgjigje. Është një punë kolosale, por ju jeni tanimë përgatitur për një sfidë të re.
Qytetarët që kanë probleme të tjera u kërkojmë ndjesë sa të zgjasë emergjenca, një muaj, dy, tre, katër….uroj të jetë periudhë e shkurtër, por do të shikohet në vijim. Për të tjerët që kanë probleme të tjera, mund të vijojnë të shkruajnë, por nuk do u kthehet përgjigje për 10 ditë. Platforma nuk do të ndërveprojë në këtë kohë për qytetarët e tjerë. Kjo është një faqe unike e dedikuar për njerëzit e prekur nga tërmeti, të afërmit e tyre që janë në emigracion dhe duan ti ndihmojnë për të ditur cfarë do të bëhet me ata, nuk ka nevojë për login. Kam besim te ju që do të na zbardhni faqen. Shpresoj që brenda Dhjetorit të kemi sistemuar gjithçka dhe në janar të kthehemi në normalitet, ky është prioriteti jetik i qeverisë dhe shoqërisë në këtë moment” tha Rama.
Shqetsimet dhe çfarë mund të kërkoni
Kam shqetësim për banesën
Kam nevojë për strehim
Kam nevojë për ndihmë mjekësore, medikamente apo pako sociale
Kam nevojë për ndihmë ushqimore, veshje apo produkte higjenike
Kam nevojë për transport në vendin e punës apo shkollë
Ka edhe një zë të gjashtë, shqetësime të tjera