Rindërtimi pas termeti, Shteti t’u thotë “jo” fondacioneve fetare
Fondacioni fetar i drejtuar nga imami Elvis Naçi, pak ditë pasi ka blerë një spital privat, njoftoi se do të rindërtojë edhe pallatet e shembura në Thumanë. Si zakonisht, Elvis Naçi ka shpërndarë numra të llogarive rrjedhëse private për të mbledhur donacione, duke ftuar popullatën që të kontribuojë për “Nismën e Madhe” të tij. Gjëja e çuditshme është se Naçi është vënë në konkurrencë me qeverinë, e cila pak orë me parë njoftoi se “brenda 2020-ës do të rindërtohen të gjitha shtëpitë e shembura”, pra duke përfshirë edhe pallatet e Thumanës. Për këtë qëllim, edhe qeveria shpërndau një seri lajmerime për të dhënë kontribut nga popullata, duke përdorur platformën publike e-albania.
Pas tragjedive, gjithnjë ka një garë solidariteti, e cila, në rast se nuk koordinohet nga një institucion shtetëror, kthehet në rrëmujë. Por, kur fjala është për donacione, rrëmuja është e rrezikshme, pasi, para së gjithash, kërkohet një transparencë e madhe.
Qeveria ka detyrën të ndërhyjë për të sqaruar se pallatet e Thumanës i rindërton Shteti dhe se fondacionet fetare duhet të qendrojnë larg nga këto projekte: nëse kanë fonde për të ofruar, le t’i derdhin (më mirë do të ishte në mënyrë anonime, siç duhet të jetë bamirësia e vërtetë) në llogaritë publike të e-Albania-s. Është e tmerrshme të transformohet një tragjedi kombëtare në një video plot lot, që të transmetohet më pas në televizion, në një program të paguar, edhe ai, nga paratë e besimtarëve.
Solidariteti i vërtetë nuk duhet të ketë ngjyrë politike, por as përkatësi fetare. /shqiptarja.com
Fraksion.com