AktualitetPolitikëTë fundit

Basha në Durrës me të prekurit nga tërmeti: Do ta kalojmë këtë situatë tragjike, po punohet në kushte të vështira

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar vatrën e rrezikshme ne Durrës, konkretisht lagjen nr.6 dhe 18, ku raportohet se ka njerëz ende nën rrënoja.

Me një shënim në “Facebook”, Lulzim Basha thekson se me solidaritetin e madh të miqve shqiptarë do të kalohet dhe kjo situatë e rëndë, e cila ka pllakosur vendin.

Postimi i Bashës

Sonte në Durrës, në lagjet 6 dhe 18, ku ende ka njerëz nën rrënojat e dy pallateve të shembura nga tërmeti, ndoqa nga afër punën e njësive të emergjencave civile nga Kosova, Franca dhe Rumania dhe të personelit tonë, të cilët prej ditës së djeshme po bëjnë përpjekje të mëdha në kushte shumë të vështira.

Specialistët e kërkim-shpëtimit më shpjeguan sfidat me të cilat po përballen për një operacion të suksesshëm shpëtimi. I falenderova në emër të çdo shqiptari për ndihmën e çmuar në këto momente tragjedie, kur ende ka njerëz nën rrënoja dhe kur numri i atyre që kanë humbur jetën po rritet.

Qytetarë të shumtë më treguan për dëmtime të mëdha që kanë pësuar shtëpitë e tyre, shumë prej të cilave janë bërë të pabanueshme. Ju kërkoj atyre dhe çdokujt tjetër të ndjekin këshillat dhe udhëzimet për evakuim sipas rastit, duke shmangur çdo rrezik.

Jeta dhe shëndeti i qytetarëve është përparësia kryesore. Si një familje e madhe, në solidaritet me njëri-tjetrin dhe me miqtë e partnerët tanë, do ta kalojmë këtë situatë tragjike.

 

Fraksion.com