AktualitetTë fundit

Thellohet bilanci i viktimave: Të paktën 21 te vdekur dhe 600 te plagosur

Vijon të rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi sot në orët e para të mengjesit Shqipërinë, me një magnitudë 6.4 me epiqendër pranë Durrësit.

Deri më tani bëhet fjalë, sipas të dhënave zyrtare për të paktën 21 persona që kanë humbur jetën.

Prej tyre, 13 janë në Durrës, në një pallat të shembur brenda qytetit, në një hotel në zonën e Plazhit, në një vilë në zonën e Kënetës dhe në zonën e Konvaleshencës po në pjesën e plazhit.

Ndërsa 7 persona, 2 gra të moshuara, dhe pesë persona të tjerë, mes të cilëve dhe një fëmijë, janë gjetur në rrënojat e tre pallateve të shembur në Thumanë.

Një person ndërkohë mësohet se ka humbur jetën në Kurbin.

Ndërkohë vijojnë operacionet e shpëtimit, ku deri më tani është bërë e mundur të nxirren të gjallë 44 persona, mes të cilëve dhe fëmijë.

Në spitalet e Durrësit dhe Tiranës janë paraqitur mbi 600 persona, me plagë të ndryshme.

Dëmet janë të shumta, ndërkohë që tensioni mbetet i lartë mes banorëve, edhe për shkak të lëkundjeve të tjera që kanë vijuar të ndjehen, ndonëse me intensitet pak më të ulët.

Janë mbi 100 të tilla të rregjistruara që pas goditjes së fortë të mëngjesit.

 

Fraksion.com