AktualitetPolitikëTë fundit

Rama viziton të plagosurit te Trauma; Flet mes emocionesh: Kjo ka qenë një ditë e rëndë për kombin shqiptar

Kryeministri Edi Rama ka vizituar mbrëmjen e sotme disa nga të lënduarit nga tërmeti që janë të shtruar në spitalin e Traumës.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se kjo tragjedi është edhe një moment për t’u bërë më njerëzor.” “Është një rast i mirë për të kuptuar që kemi bërë shumë gam gam gam dhe kemi harruar që jeta është pak më ndryshe se gam gami i përditshëm”.

Ai është shprehur se “sot ka qenë pa diskutim dita e të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që nën uniformën e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, uniformën e Zjarrfikëseve apo edhe uniformën e  Trupave Speciale të Kosovës, të cilat u bënë sot shëmbëlltyrë e një bashkimi kombëtar në dhimbje e në sakrificë. Kanë qenë të gjithë heronjtë e kësaj dite. Bluzat e Bardha që në ditët me diell i përgojojmë pa hesap dhe sot kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pa pushim në krye të detyrës  për të shëruar jetë njerëzish, për të kuruar plagë të ndryshme”.

Për fat të keq, ka theksuar Rama, “bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, por lus Zotin që të mos ketë përfunduar as bilanci i jetëve të shpëtuara nga rrënojat, ku ende shpresoj marrin frymë, njerëz që do i nxjerrim”.

“Ka qenë një ditë sa e rëndë aq e mbushur edhe me emocion edhe si rezultat i solidaritetit të jashtëzakonshëm të gjithë shqiptarëve, por edhe të miqve të këtij vendi që janë ngritur në këmbë me një frymë, që nga Italia në Greqi nga Franca në Turqi, nga Gjermania në Kroaci, miqtë në rajon, Mali i Zi, Serbia Maqedonia e Veriut, Rumania, Zvicra. Ambasadat që në ditët e fundit i kemi vënë në një shënjestër që na ka turpëruar të gjithëve. Sot që në mëngjes herët në emër të SHBA dhe vendeve të BE-së na kanë shprehur gjithë gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them tani, qeveria ka bërë maksimumin. Kemi qenë menjëherë në terren të gjithë. Tani që flasim disa nga ministrat vazhdojnë të kqyrin ecurinë e përpjekjes këmbëngulëse dhe emocionuese të gërmimit në rrënoja”, ka nënvizuar Kryeministri Rama.

“Kemi komunikuar intensivisht dhe në fakt është sureale që të flasësh me presidentin e Francës kur je përballë një gërmadhe në Durrës, apo me kryeministrin e Greqisë kur je përballë një tjetre, apo të Italisë. E them për të treguar sa e madhe ka qenë gatishmëria”, ka theksuar Rama.

Nga ana tjetër, ka vijuar Rama, “po punojmë për atë që vjen nesër. Do të jetë ditë natyrshëm zyrtarisht zie kombëtare. Do të jetë një ditë për të filluar për të realizuar të gjithë procesin e kalimit të njerëzve që janë pa çati që janë në qiell të hapur sot dhe do ta kalojnë natën në tenda dhe që për shkak të traumës refuzojnë të futen qoftë dhe në një palestër. Sot kam punuar në këtë drejtim me kolegët për të ndërtuar një marrëveshje me operatorët turistikë për hotelet në bregdet, Durrës, Kavajë pa diskutim po të jetë nevoja dhe në Vlorë, Lezhë. Duke I vënë në dispozicion për familjet që s’kanë çati që s’mund ta kalojnë dimrin në tendë që duhe ttë merren , të trajtohen dhe të shërbehen, të ushqehen, të lahen, të gëzojnë një jetë sa më normale. Kjo nuk është një çështje ditësh, kjo nuk është një çështje javësh. Kjo është çështje muajsh”.  Paralelisht po punojmë për mekanizmin e solidaritetit europian. Nuk janë vetëm vendet e Europës të gatshme që të ndihmojnë. Kemi dhe vende të tjera mike që po bisedojmë. Sepse duhet të rindërtojmë gjithçka. Duhet të rikthejmë njerëzit në shtëpi të reja, të forta dhe koha nuk pret.
“Por ju them të gjithëve duhet solidaritet, durim. Mbase ky është një rast për të kuptuar që kemi bërë shumë gam gam gam dhe jemi ëmsuar të qahemi dhe ankohemi shumë dhe kemi harruar që jeta është pak më ndryshe sesa gam gami i përditshëm. Unë ju siguroj se siç bëmë me të gjitha familjet në Korçë, Ersekë, do të bëjmë me të gjitha këto familje. Janë shumë. Është një sfidë vërtet shumë e madhe. Por çfarë nuk të vret të forcon, thoshte Niçja. Kishte të drejtë shumë. Ne do të dalim më të fortë nga kjo histori, por fatkeqësisht nuk do të dalim të gjithë, pasi disa prej nesh nuk janë më. Fjalët për të ngushëlluar familjet e tyre janë të vështira për tu gjendur. Kjo ëhstë jeta”, ka theksuar Rama.

I pyetur nëse do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, Rama tha se  “është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë. Nuk e di kush jua ka mësuar që kjo është një pyetje që me të vërtetë ka kuptim sot. Çfarë do të thotë kjo? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë sesa ka sjellë sot gjithë ky intensitet dhe solidaritet dhe volum pune dhe jam i bindur që në ditët në vijim nuk do të ndryshojë asgjë.
“Natyrisht nesër është dita për të menduar të gjitha, përfshirë edhe këtë që po thoni ju. Nejse, ju jeni të pafajshëm në këtë rast. Të fajshëm janë ata që edhe në këtë ditë të sotme vijojnë të cysin tema që janë pa lidhje. Ne do i vlerësojmë të gjitha, por një gjë është e sigurt. Këta njerëz do të trajtohen në mënyrën më dinjitoze në çdo aspekt që nga nga strehimi, tek kthimi në shtëpi, tek krijimi i kushteve për fëmijët që mos braktisin asnjë ditë shkolle. Sot nuk kemi pasur asnjë sekondë për të menduar për aspektet formale. Kemi dhënë dhe po japim gjithçka. Ditën dhe natën. Nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida. Por sot më lejoni të jem shumë mirënjohës dhe krenar dhe falënderuae për të gjithë ata që përmenda më lartë. Që sot janë njerëzit që kanë shkruar histori për shtetin shqiptar. Njerëz që në të përditshme s’i llogarit askush, por kanë bërë dhe vazhdojnë akoma tani që po flasim sakrificë dhe heroizma. Kjo është ajo që ka rëndësi sot” ka thënë Rama.
“Është një moment i rëndë. Është një krizë e madhe reale, jo artificial. Por është dhe një mundësi e mirë për të gjithë ne për t’u bërë secili pak më njerëzor, për të mësuar pak më shumë nga ky leksion jete, duke parë gërmadhat, duke parë lotët e atyre që sot janë më pak në familje dhe duke parë që kjo flamë ka goditur në të shumtën e rasteve në hallka shumë të dobta, tek më të varfërit. Këto janë gjërat që kanë rëndësi sot. të tjerat nesër”, ka deklaruar Rama.

 

 

Fraksion.com